Site icon Telegrafi

Arritje në të gjitha fushat e jetës

– Fjalimi vjetor i presidentit të Republikës së Kosovës në Kuvend –

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe deputetë,
Të nderuar ambasadorë të vendeve mike të akredituar në Kosovë, dhe përfaqësues të institucionev ndërkombëtare
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i nderuar që kam mundësinë të paraqes para jush, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe para qytetarëve të vendit, fjalimin tim vjetor. Sikundër deri më tani, dua t’ju njoftoj nga ky institucion më i lartë i legjislativit në vendin tonë, për angazhimet e mia gjatë këtij viti, të cilin, për shumë arsye, e kam cilësuar vit të mbarë të dëshmimit, vit të funksionimit të suksesshëm dhe të rritës së përgjithshme të Republikës sonë të pavarur dhe demokratike.

Republika e Kosovës ka pasur gjatë këtij viti arritje që mund të vërehen në të gjitha fushat e jetës, ashtu siç ka pasur edhe sfida dhe vështirësi të shumta. Institucionet e vendit, në të gjitha nivelet, janë forcuar, është shtuar përgjegjësia, është dinamizuar jeta dhe debati demokratik dhe për këtë merita kanë të gjithë, edhe ata që aktualisht janë bartës së qeverisjes, edhe ata që janë në opozitë, por që kanë ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e përgjegjësisë së qeverisjes.

Jemi në vitin e dytë të shtetësisë së Kosovës dhe tanimë kemi pranuar 61 njohje nga vende të ndryshme anekënd globit. Institucionet përkatëse të vendit, Presidenti, Qeveria, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, kanë punuar me përkushtim për të arritur sa më shumë njohje. Në këtë proces ne kemi pasur përkrahjen e parezervë të vendeve tona mike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve më të fuqishme të Bashkimit Evropian. Gjithsesi, duhet të veçohet edhe roli i diplomacisë së Shqipërisë dhe të Republikës së Turqisë, të cilat punuan me vullnet të përhershëm për të siguruar mbështetje për shtetin më të ri në botë, Republikën e Kosovës. Këto vende kanë merita të mëdha sidomos për miratimin e Rezolutës për Kosovën nga Organizata e Konferencës Islamike.

Me qëllim të sigurimit të sa më shumë njohjeve dhe të afirmimit të vendit tonë në botë, gjatë kësaj periudhe në mes paraqitjeve të mia vjetore para jush, unë kam realizuar takime të shumta me përfaqësues të vendeve nga të gjitha kontinentet. Si rezultat i gjithë këtyre angazhimeve, kemi realizuar takime dhe vizita tepër të rëndësishme, ndër të cilat duhet të veçohet vizita në SHBA dhe takimi historik me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë, më 21 gusht 2008 bashkë me përfaqësuesit e tjerë të Republikës. Këtij takimi i paraprinë takimet me Sekretaren e Shtetit Condoleezza Rice dhe me Sekretarin e Mbrojtjes, z. Robert Gates. Me kënaqësi pohojmë se Republika e Kosovë vazhdon të ketë vëmendjen e veçantë të SHBA-ve dhe të administratës së Presidentit Obama, me zyrtarët më të lartë të së cilës tashmë kemi pasur takime si në Uashington, ashtu edhe këtu në Prishtinë. Gjatë vizitës sonë të fundit në Uashington, në fillim të muajit mars të këtij viti, ne kemi takuar Zëvendëspresidentin Joseph Biden, Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, ambasadoren e SHBA-ve në OKB, zonjën Susan Rice.

Po kështu, në shtator 2008, gjatë punimeve të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së, kam takuar mbi 30 përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm.
Përkushtimi i veçantë i SHBA-ve për Kosovën u ridëshmua fuqishëm edhe gjatë vizitës së Zëvendëspresidentit Joseph Biden në vendin tonë. Me këtë rast, dua t’ju shpreh falënderimet e mia të gjithë qytetarëve dhe zyrtarëve të vendit, që organizuan një pritje vërtet të dinjitetshme për të.

Përveç marrëdhënieve intensive me SHBA-të, ne kemi vazhduar të mbajmë raporte të ngushta edhe me të gjitha vendet e tjera mbështetëse të Kosovës. Jemi pritur në Londër nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, z. Gordon Braun, dhe nga Ministri i Jashtëm Miliband, si dhe kemi mbajtur kontakte të përhershme me përfaqësuesit kryesorë të diplomacisë evropiane, në rend të parë me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, z. Havier Solana, por edhe me funksionarë të tjerë të rëndësishëm, si Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, Komisionari Evropian për Zgjerim, Oli Rehn e shumë të tjerë.

Si President i vendit, gjatë gjithë kësaj kohe, kam mbajtur korrespondencë të rregullt me homologët e mi nga të gjitha anët e globit. Më 23 dhe 24 qershor 2009 kam marrë pjesë në samitin e Presidentëve të rajonit, të mbajtur në Vlorë. Përveç me mikpritësin, Presidentin Topi, atje jam takuar edhe me Presidentin e Malit të Zi, Vujanoviç, dhe me Presidentin e Maqedonisë, Ivanov. Së bashku, jemi zotuar për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror e rajonal, në mënyrë që të japim provën e gatishmërisë dhe të pjekurisë sonë për të qenë pjesë e barabartë e familjes së madhe e demokratike evropiane.

Më 29 qershor 2009, unë dhe Kryeministri Thaçi nënshkruam në Uashington dokumentet e pranimit të Republikës së Republikës së Kosovës në institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.
Gjithashtu, gjatë gjithë vitit, unë kam takuar qoftë në zyrën time, qoftë jashtë vendit, kryeministra, ministra të jashtëm, kryetarë parlamentesh dhe përfaqësues të tjerë të shteteve të shumta, si të Gjermanisë, Zvicrës, Turqisë, Shqipërisë, Danimarkës, Luksemburgut, Estonisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe shumë të tjerë. Në të gjitha këto takime kam vënë në pah se Republika e Kosovës ka një shoqëri multietnike, e cila dallohet me diversitetin dhe trashëgiminë e pasur të saj shpirtërore e kulturore, që e bën vendin tonë një mozaik të veçantë në kuadër të shtetit laik, i cili i respekton dhe i garanton edhe me ligj dhe kushtetutë të drejtat dhe specifikat e secilit etnitet.
Prandaj, s’është e tepërt asnjëherë të rikujtojmë se Kosova është një shembull unikat i tolerancës, i mirëkuptimit dhe i bashkëjetesës në mes qytetarëve të kombeve dhe besimeve të ndryshme.

Kosova mirëpret raportet pozitive të organizatave dhe mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtarë për arritjet në vendin tonë. Gjithashtu, ne i marrim me dashamirësi dhe i shqyrtojmë me shumë kujdes vërejtjet e dhëna nga këto mekanizma dhe zotohemi për të punuar edhe më shumë në këto fusha.

Të nderuar deputetë dhe pjesëmarrës të tjerë të kësaj seance,

Si President i Republikës së Kosovës, po edhe si ekspert, unë kam qenë i ftuar të mbajë ligjërata në institucione e universitete me renome ndërkombëtare, si në Gjermani, në Britaninë e Madhe, në SHBA, dhe në Republikën Turke.

Ndërkohë, Presidenti Topi më ka dekoruar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Bashkia e Shkodrës më ka akorduar titullin “Qytetar nderi i Shkodrës”, Instituti Co-Plan nga Tirana më vlerësoi me çmimin special "Lidershipi shqiptar 2008”, kurse Arizona State University në Phoenix më dha çmimin “Distinguished Global Leadership Aëard”. Në të gjitha ceremonitë e organizuara për çmimet që më janë akorduar, unë kam theksuar se ato i konsideroj po kështu si një vlerësim që i bëhet popullit dhe vendit tim, Kosovës.

Në agjendën time të këtij viti vend me peshë i takon edhe pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë, në shkurt 2009, në të cilën ishin të pranishëm mbi 300 pjesëmarrës nga e gjithë bota, presidentë, kryeministra dhe udhëheqës të lartë shtetërorë të vendeve më të fuqishme të botës. Ky ishte rasti i parë i përfaqësimit të Kosovës në këtë mekanizëm dhe do të jetë praktikë e vazhdueshme edhe për të gjitha takimet pasuese të këtij niveli.

Gjithashtu, dua të potencoj edhe pjesëmarrjen në Forumin Ekonomik të Euroazisë në Stamboll, të mbajtur në maj të këtij viti, në të cilin ishin të pranishëm presidentë, ish-presidentë, ministra dhe ekspertë nga 41 vende euro-aziatike. Edhe në këtë forum, unë takova personalitete të rëndësishme shtetërore e politike nga shumë vende, të cilëve u bëra thirrje që të ndikojnë te qeveritë e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Republika e Kosovës çdo ditë po e forcon subjektivitetin e saj ndërkombëtar nëpërmjet anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, aderimit në mekanizma e iniciativa rajonale e ndërkombëtare dhe nënshkrimit të traktateve dypalëshe. Kemi nevojë që numri i këtyre anëtarësimeve dhe traktateve të shtohet, në mënyrë që Kosova të ketë vendin e saj meritor në mekanizmat ndërkombëtarë.

I nderuar Kryetar Krasniqi,
Të nderuar deputetë,

Që nga shpallja e pavarësisë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar para qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare se janë partnerë seriozë dhe se shteti ynë është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik, mbetet shtylla e vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e shoqërisë sonë, të shtetit tonë. Ajo na obligon për sundimin e ligjit dhe për sigurimin e barazisë së secilit qytetar në tërë territorin e Republikës sonë. Siç e dini, vendi ynë do të hyjë sivjet në ciklin normal të zgjedhjeve.

Duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, unë kam zhvilluar një varg takimesh me drejtuesit e partive politike për të caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Pas konsultimeve të bëra, kam marrë vendim që këto zgjedhje të mbahen më 15 nëntor. Pa dyshim, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, sepse janë të parat në Kosovën e pavarur dhe organizohen kryekëput nga institucionet vendore. Prandaj, mbarëvajtja e tyre dhe sigurimi i një procesi korrekt dhe të ndershëm zgjedhor duhet të shndërrohet në synim dhe zotim të të gjithë neve, institucioneve, subjekteve konkurruese dhe qytetarëve të vendit, të cilët me të drejtë duan garanci se vota e tyre si elektor do të respektohet.

Tashmë unë kam pasur disa takime me drejtuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor, të cilët kanë premtuar se do të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’i kryer me kohë përgatitjet e nevojshme për këto zgjedhje.
Sikur që kamë zhvilluar konsulta intensive edhe me partner të rëndësishëm ndërkombëtar që do të jenë partner të rëndësishëm mbështetës për këtë proces të rëndësishëm zgjedhor për Kosovën.

Të nderuar deputetë,

Kushtetuta e Republikës së Kosovës siguron ndarjen e qartë të tri pushteteve themelore: legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Nga pozita ime, jam angazhuar që të sigurohet shkalla e duhur e funksionalitetit koheziv. Si President i Republikës së Kosovës, unë mora kompetenca më thelbësore, sidomos në fushat që janë me atribute të ekzekutivit dhe të sovranitetit shtetëror. Duke e pasur parasysh këtë, kam punuar me gjithë dijen dhe fuqitë e mia, gjithnjë me moton për të cilën jam zotuar dhe që më takon – të jem në shërbim të unitetit demokratik të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës ka themeluar edhe shtyllën më të rëndësishme kushtetuese, Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, së cilës i parapriu themelimi i Komisionit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ky komision hartoi dhe është miratur pastaj nga Parlamenti edhe Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, që është në fuqi.

Funksionimi dhe zbatimi i Kushtetutë së Republikës garantohet nga gjyqtarët e këtij institucioni të lartë, të cilët tashmë kanë dhënë betimin solemn para meje.
Përkitazi me reformat e gjyqësorit, kam kënaqësinë t’ju informoj se në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam shpallur Ligjin për Përbërjen e Përkohshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Duke u bazuar në këtë ligj, unë bëra edhe emërimet e para të anëtarëve të këtij këshilli, që ka rëndësi jetike për reformat e parapara në gjyqësor. Në përputhje me kushtet e parapara me ligj, anëtarët e këtij institucioni me rëndësi të veçantë për zhvillimin e drejtësisë në vend kanë dhënë betimin para Presidentit të vendit. Dhe mbetet obligimi i tyre që të shpejtojnë punë dhe proceset për të ndërtuar një sistem të mirë të gjyqësorit në Kosovë duke e futur në procesin e rëndësishëm të reformave që i ka para vetes.

Si president i një vendi që ka nevojë për reforma rrënjësore në gjyqësor dhe prokurori, do të luaj rolin që më takon për t’i mundësuar bazat e kësaj reforme, në mënyrë që të krijohet një gjyqësor dhe prokurori tërësisht e pavarur. Ky, madje, është parakusht për sundimin e plotë të ligjit.
Insistoj përherë që radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Kosovës të plotësohen me njerëz të rinj, profesionistë, të dijshëm e të përkushtuar, jashtë ndikimeve e preferencave të tjera formale e joformale, personalitete me respekt për të drejtën, të paanshëm dhe, para së gjithash, të papërfshirë në veprime apo afera korruptive.

Besoj se Ligji për Noterinë dhe Ligji për Ndërmjetësim, që i shpalla para pak kohësh, si dhe fillimi i aplikimit të arbitrazhit si metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve, do t’i ofrojnë gjyqësorit të Republikës së Kosovës lehtësimin e barrës shumë të ndjeshme që ka pasur deri tani.

Me rastin e njëvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ne treguam në praktikë, për herë të parë në historinë tonë moderne, se drejtësia në këtë vend ka edhe vlerën domethënëse të humanizmit, mëshirën e shtetit dhe të shoqërisë së lirë. Duke u bazuar në kompetencat e mia kushtetuese, në Ligjin për Faljen dhe legjislacionin përkatës, pas shqyrtimit të hollësishëm të të gjitha dosjeve të kompletuara, sipas propozimeve të Komisionit add-hoc, me ekspertë të pavarur, më 17 shkurt 2009 në ditën e pavarësisë më 2009, unë fala plotësisht apo pjesërisht 62 të dënuar. Mendoj se ky akt do të shërbejë si shembull i mëshirës shtetërore, si busull për të gjithë ata që ranë në kundërshtim me ligjin. Kujtoj se në mënyrë institucionale u dhamë rast personave të falur të integrohen në rrjedhat e jetës normale dhe të bëhen sërish pjesë aktive dhe e dobishme e shoqërisë sonë. Njëkohësisht, dhamë shembull konkret se Republika e Kosovës nuk synon të ndërtohet mbi filozofinë e dorës së hekurt të shtetit, por mbi vlerat e demokracisë moderne, të ndjenjës së thellë të humanizmit dhe të respektimit të plotë të ligjit.

Të dashur deputetë,

Dua të veçoj me këtë rast se kemi punuar përherë që të jemi pjesë e dinamikës së ndërtimit të ligjeve dhe institucioneve të reja. Që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kam dekretuar mbi 90 ligje të miratuara nga Kuvendi i Republikës, që janë analizuar me kujdes të posaçëm nga bashkëpunëtorët e mi, për të bërë edhe vlerësimin tim dhe filtrimin e fundit para hyrjes së tyre në fuqi.

Duke pasur parasysh faktin se avancimi ekonomik i vendit zë një vend parësor në politikat tona shtetërore, kam shpallur ligje nga fusha e ekonomisë që shpresojmë se do ta drejtojnë Republikën e Kosovës drejt një zhvillimi substancial ekonomik. Gjithashtu, ne vazhduam bashkë me ju ndërtimin e strukturës legjislative për themelimin e institucioneve që janë shtylla të rëndësishme të një shteti të pavarur dhe sovran, që ndër të tjera përfshijnë edhe institucionet e sigurisë, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës, me shenja konkrete të një sistemi funksional. Shteti ynë ka tanimë Forcën e Sigurisë dhe Agjencinë e Inteligjencës të cilat duhet të shkojnë në përsosje, për të cilat unë do të vazhdoj të kontribuoj që të jenë plotësisht në shërbim të qytetarëve dhe të institucioneve Republikës së Kosovës, duke mbetur gjithmonë të pandikuara nga qendrat politike apo nga grupet e interesit çfarëdo qofshin ato.

Më 15 qershor 2009, kam dekretuar emërimin e eprorëve të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Besoj se ky akt do të ketë efektet e dëshiruara në qëllimin tonë të përbashkët për të pasur një forcë moderne dhe të disiplinuar. Me këtë rast, më lejoni të theksoj se Kosova ofron gatishmërinë e saj për të kontribuar në misionet ndërkombëtare për paqe dhe siguri në botë në partneritet dhe në koordinim të plotë me NATO-n.

Të nderuar deputetë,

Po ashtu, shteti kërkon edhe përfaqësim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, prandaj kam shpallur ligje që ju i keni miratuar edhe në fushën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë. Tani jam në fazën e fundit të konsultimeve me Qeverinë e Republikës së Kosovës, përkatësisht me Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, për caktimin e ambasadorëve të parë të vendit tonë në botë. Përzgjedhja e ambasadorëve dhe zyrtarëve të tjerë në ambasadat dhe misionet konsullore të Republikës së Kosovës do të përfundojë shpejt dhe jam i bindur se vendi ynë do të përfaqësohet nga një staf diplomatik i përgatitur për t’i mbrojtur dhe prezantuar interesat e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës kudo që do të jenë.

Gjatë shqyrtimit dhe shpalljes së ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, unë si President i Republikës, gjithmonë do të kem parasysh detyrën primare, pra mbrojtjen e interesave legjitime të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Për këtë arsye, siç e dini ia kam kthyer për rishqyrtim Kuvendit të Republikës së Kosovës tri ligje, pas vlerësimit se ato, si të tilla, kishin elemente që e cenonin interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë, si dhe binin ndesh me Konventat Ndërkombëtare.

Në kuadër të avancimit të pozitës së komuniteteve në Republikën e Kosovës dhe me qëllim të përmbushjes së zotimeve tona për Planin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, unë kam themeluar Këshillin Konsultativ për Komunitete që funksionon si pjesë e Zyrës së Presidentit. Kam kënaqësinë e veçantë t’ju informoj se ky këshill tanimë ka kryesuesin e vet dhe zëvendësit e tij dhe është tërësisht funksional që t’i përmbushë detyrat e shtruara. Këshilli Konsultativ për Komunitete do të jetë një mekanizëm i rëndësishëm i shprehjes së vullnetit të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovë.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë,

Kosova ka përjetuar ndihmën bujare të vendeve mike në Konferencën e Donatorëve dhe nëpërmjet mbështetjes së rëndësishme që kanë dhënë vendet e caktuara veç e veç. Këto vende, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, si dhe vende të tjera të botës demokratike, e kanë ndihmuar Kosovën edhe në kohët më të rënda të saj, por edhe në dhjetë vjetët e rimëkëmbjes së ekonomisë sonë të rrënuar nga lufta dhe nga një shkatërrim sistematik që i është bërë sidomos gjatë regjimit të Millosheviçit.

Duke ritheksuar mirënjohjen tonë për këtë bujari të jashtëzakonshme të këtyre vendeve, ne insistojmë që institucionet e vendit tonë dhe ndërmarrësit privatë duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur, me qëllim që ekonomia e vendit tonë të qëndrojë në këmbët e veta. Mbështetja nga jashtë është shumë e rëndësishme, por qytetari ynë ka nevojë të shohë përparime edhe më të prekshme e më konkrete në sektorin tonë ekonomik. Atij i duhen argumente të përditshme se institucionet e vendit të tij kanë një vizion të qartë, të cilin synojnë ta arrijnë.

Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore është një e arritur e jashtëzakonshme, që duhet të shfrytëzohet për t’i dhënë impulse të reja përparimit ekonomik të vendit. Prandaj, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, po edhe segmentet e tjera të pushtetit qendror e lokal duhet t’i shtojnë përpjekjet e tyre për t’i zvogëluar në mënyrë të vazhdueshme efektet e krizës ekonomike, aq më tepër kur pasojat e krizës globale nuk mund të mos prekin edhe vendin tonë.

Bazamenti i një ekonomie të shëndoshë është respektimi i marrëveshjeve në mes të dy palëve. Duke pasur parasysh këtë kontekst thelbësor juridiko-ekonomik, nxis të gjitha palët kompetente që të bëjnë çmos për realizimin e kushteve të domosdoshme për ndërmarrjet e privatizuara me spin-off special. Mosrespektimi i kushteve të parapara për privatizuesit e ndërmarrjeve shoqërore është shndërruar në një dukuri kronike, e cila po i dëmton punëtorët, ndërmarrjet e privatizuara dhe ekonominë e Kosovës Janë të rralla rastet e mira kur dikush ka bërë punën më ët mirë në përmbushjen e obligimeve.

Prandaj, shfrytëzoj rastin të kërkoj nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për realizimin e këtyre kushteve të privatizimit, apo, në të kundërtën, pra nëse kushtet e parapara me kontratën e privatizimit nuk përmbushen nga investitori brenda afatit kohor, të ndërmarrin të gjithë hapat juridikë që lejohen nga legjislacioni përkatës dhe marrëveshjet e privatizimit. Pra, njëherë e përgjithmonë të kuptojmë se ekonomia e tregut të lirë nuk do të thotë ekonomi pa përgjegjësi.

Po ashtu, ekonomia e tregut të lirë, nuk nënkupton një Laissez-faire absolute. Një ekonomi e shëndoshë duhet të ndërtohet mbi një legjislacion përkatës dhe efektiv që nxit ekonominë dhe siguron një konkurrencë korrekte në mes operatorëve të ndryshëm ekonomikë. Natyrisht, legjislacioni ekonomik dhe licencimi garantojnë një cilësi të lartë të ofertave dhe pjesëmarrësve që paraqiten në treg. Mirëpo, është tejet e rëndësishme që kjo rregull juridike, përkatësisht licencimi, assesi të mos përdoret si vegël për promovimin e monopoleve dhe interesave personale. Një qasje e tillë është në kundërshtim me synimet tona për një treg të lirë ekonomik, me interesat tona shtetërore dhe me vlerat tona qytetëruese evropiane.

Në mes dy paraqitjeve të mia vjetore para jush, unë kam zhvilluar shumë takime me qytetarët e vendit. Vlerësoj se institucionet e Kosovës mund të bëjnë më tepër për të mirën e qytetarëve duke hapur perspektivën e zhvillimit ekonomik dhe duke shtuar shkallën e përkujdesjes sociale. Ende kërkohet të nxitet krijimi i lehtësive për zhvillimin e bizneseve, për përcaktimin e qartë të prioriteteve në shëndetësi, në agrokulturë, në energjetikë, në arsim dhe në kulturë. Na duhen shumë më tepër vende të reja pune dhe përkujdesje e qëndrueshme sociale për ta pakësuar varfërinë dhe papunësinë që mbetet ende në shkallë kërcënuese.

Përsëri i ftoj institucionet tona që punonjësit e arsimit dhe të shëndetësisë në Kosovë të nxirren prej kategorisë së shërbyesve civilë, në mënyrë që të krijohet mundësia e diversifikimit dhe e konkurrencës së shërbimeve në rrethana të ekonomisë së tregut. Qeveria duhet t’i shtojë investimet në shëndetësinë publike dhe të punojë për valorizimin e edukimit në vendit tonë konform arritjeve dhe trendeve bashkëkohore. Gjithashtu, u bëj thirrje institucioneve tona në të gjitha nivelet që të tregojnë edhe më shumë kujdes për pensionistët, të cilët dekada me radhë kanë dhënë kontribut të madh për ndërtimin e Kosovës.

Po e ritheksoj me këtë rast edhe çështjen e regjistrimit të popullsisë, ngecje kjo që sjell vështirësi për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës dhe është shumë i rëndësishëm vendimi që është marrë se regjistrimi i popullsisë në Kosovë do të ndihmojë shumë institucionet e Republikë së Kosovës dhe prioritetet e tyre në drejtimet e shumta strategjike që duhet të ndërmerren në aspektet zhvillimore.

Të nderuar deputetë,

Më 17 shkurt dhe më 8 gusht 2008, në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, unë i kam bërë ftesë Bashkimit Evropian që të dërgohet në vendin tonë Misioni Civil Ndërkombëtar i udhëhequr pikërisht nga Bashkimi Evropian dhe me prezencë të Shteteve të Bashkuara. Në bazë të kësaj kërkese, EULEX-i tashmë është në Kosovë dhe pavarësisht disa vonesave, që nga fillimi i shtrirjes së tij në terren, ka shënuar disa rezultate të rëndësishme.

Kthimi gradual i rendit në pikat kufitare në veri të vendit, përpjekjet për funksionalizimin e plotë të doganave dhe mosnënshtrimi ndaj presioneve që vazhdimisht i kanë ardhur nga Serbia, kanë bërë që ky mision të ketë besimin e institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim . Prandaj, ne i garantojmë EULEX-it bashkëpunimin tonë, me qëllim të arritjes së rezultateve të reja dhe të përbashkëta në fushë të sigurisë dhe të sundimit të ligjit.

Po ashtu, ritheksoj kërkesën tonë për rikonfigurimin e UNMIK-ut, me qëllim të përmbylljes së këtij misioni, i cili, përkundër vonesave, mund të quhet një storje e suksesshme e angazhimit ndërkombëtar në Kosovë.

Një falënderim të veçantë kemi për komandantët dhe ushtarët e KFOR-it, të cilët si me punën e tyre profesionale për ruajtjen e Kosovës, ashtu edhe me angazhimet e tjera në fushën civile, siç janë ndërtimi i rrugëve dhe i urave, ndërtimi i shkollave dhe objekteve të tjera për qytetarët e vendit tonë, janë pa dyshim shembull më vete i suksesit në Kosovë.

Përderisa flasim për çështje të sigurisë, me kënaqësi mund të theksojmë se në Republikën e Kosovës, gjatë këtij viti, nuk është shënuar asnjë incident me motive etnike. Ky është një argument i fuqishëm se Kosova është atdhe i përbashkët për të gjithë qytetarët e saj të barabartë, pa dallim kombi, feje apo etnie. Me bindje pohojmë se prishësit e rendit dhe të qetësisë publike, kundërshtarët e paqes dhe të ardhmërisë së përbashkët dhe evropiane të qytetarëve të Kosovës, janë në shërbim të atyre që nuk e duan Kosovën e pavarur, që nuk e duan demokracinë e saj, që nuk e duan Kosovën pro perëndimore.

Me këtë rast, ju shprehim mirënjohjen tonë ministrave, deputetëve dhe të gjithë bashkëqytetarëve tanë të komunitetit serb, të cilët kanë punuar me zell në institucionet e Kosovës, megjithëse kanë pasur presione të vazhdueshme që të tërhiqen dhe t’i bojkotojnë këto institucione. Puna e tyre është në të mirë të Kosovës, në të mirë të bashkëkombësve të tyre serbë që jetojnë në Kosovë, po edhe në të mirë të gjithë qytetarëve të tjerë.

Përshëndes kthimin e policëve serbë në vendet e tyre në Policinë e Kosovës dhe i ftoj nga kjo foltore e Kuvendit qytetarët serbë të Kosovës dhe subjektet e tjera politike të tyre, që ende hezitojnë të bashkëpunojnë me institucione, të integrohen sa më parë në jetën tonë të përbashkët politike e qytetare. Pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e sivjetshme lokale do të ishte një hap shumë domethënës për të gjithë në Kosovë, po edhe një mesazh i mirë për komunitetin ndërkombëtar një mesazh dhe punë e mirë për të ardhmen e përbashkët dhe perspektiven tonë.

Po ashtu, u bëj apel të gjithë të zhvendosurve, kudo që ndodhen, që të kthehen në shtëpitë e tyre, sepse Republika e Kosovës u garanton jetë të qetë dhe të ardhme të sigurt.
Si gjithmonë, edhe kësaj radhe, duhet të veçojmë ndihmesën e madhe që kanë dhënë dhe po japim për mbarëvajtjen e proceseve të përgjithshme politike e shoqërore përfaqësuesit e të gjitha bashkësive të tjera etnike në Kosovë, të turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalinjve, egjiptasve etj., të cilat janë faktorë shumë domethënës të stabilitetit dhe të progresit të Republikës së Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi, Qeveria, pushteti lokal dhe të gjitha hallkat e shtetit tonë, duhet dhe do të vazhdojnë të punojnë me përkushtimin më të madh për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për thellimin e stabilitetit e të sigurisë për të gjithë. Vendi ynë do të mbetet faktor i paqes së qëndrueshme në rajon, por njëkohësisht do të këmbëngulë për paprekshmërinë e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Nuk do të lejojmë në asnjë çast cenimin e interesave tona nacionale, ndërkohë që do të pohojmë fuqishëm se jemi jetësisht të interesuar për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje të rajonit, pse jo edhe me Serbinë, me kusht që ajo të heqë dorë nga politikat e destruktivitetit dhe të shantazhit ndaj Kosovës. Rindërtimi i këtyre marrëdhënieve është i pamundur, sa kohë që Serbia do t’i sponsorizojë strukturat paralele në veri të vendit tonë, në mesin e të cilave ka plotë persona të inkriminuar në krime të rënda, të cilët i kanë shumë borxh popullit të Kosovës, por edhe popujve të tjerë të rajonit, dhe në rend të parë drejtësisë.

Ne na gëzon gatishmëria e vendeve të tjera të rajonit që ta thellojnë bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, si dhe fakti se ato kanë treguar mirëkuptim për idenë tonë që të krijohet një zonë e lirë e lëvizjes së njerëzve dhe e qarkullimit të mallrave në mes vendeve tona. Jetësimi i kësaj ideje, pa dyshim, do ta përshpejtonte shkëmbimin tregtar dhe zhvillimin ekonomik në rajon, dhe, njëkohësisht, do të jepte një dëshmi të fuqishme se kjo pjesë e Evropës Juglindore ka vullnet, dije dhe gatishmëri për të qenë pjesë e Evropës së bashkuar, pjesë e botës së lirë e demokratike, në të cilën liria e individit, respektimi i diversiteteve etnike, religjioze e kulturore çmohet si pasuri e mozaikut të përgjithshëm të qytetërimit bashkëkohor.

Po ashtu, ritheksojmë se jemi të lumtur për sukseset e vendeve të rajonit dhe përshëndesim anëtarësimin me të drejta të plota të Republikës së Kroacisë dhe të Republikës së Shqipërisë në NATO, të bindur se ky është një moment shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe ardhmërinë e të gjithë rajonit. Një mirënjohje të veçantë i japim Qeverisë së Shqipërisë, e cila po e jetëson ëndrrën e kamotshme të lidhjes fizike në mes dy vendeve tona me ndërtimin e autostradës Durrës-Morinë, të cilën besojmë se do ta vazhdojmë edhe ne, në një afat sa më optimal, drejt Prishtinës dhe më tej deri në Merdar. Kjo udhë, pa dyshim, do t’i japë hov bashkëpunimit në mes të Republikës
së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, por do t’i ndihmojë edhe zhvillimit të rajonit në përgjithësi.

Përfundimisht, e themi si gjithmonë, integrimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, si dhe forcimi i bashkëpunimit dhe i miqësisë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është motoja kryesore e angazhimeve tona. Ky përcaktim shpreh vullnetin politik të popullit të Kosovës, të institucioneve dhe subjekteve të saj politike dhe prej tij nuk heqim dorë për asnjë çmim.

Zoti e bekoftë Kuvendin e Republikës së Kosovës!
Zoti e bekoftë popullin e Republikës së Kosovës!
Zoti i bekoftë të gjithë miqtë tanë!

Exit mobile version