Telegrafi

BE arrin marrëveshjen për të reduktuar konsumin e gazit me 15 për qind deri në pranverë

Ministrat e Energjisë nga vendet e BE-së kanë arritur një marrëveshje mbi një plan të paprecedentë të energjisë që do të prezantojë një reduktim vullnetar prej 15 për qind të konsumit të gazit në të gjithë bllokun nga tani deri në pranverën e ardhshme.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, projekt-plani u bë i ditur javën e kaluar nga Komisioni Evropian në përgjigje të manipulimit të vazhdueshëm të Rusisë me furnizimet me gaz, që po ngre frikën për mungesë gjatë dimrit.

Republika Çeke, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, njoftoi përparimin të martën.

“Ky nuk ishte një mision i pamundur!”, shkruante në llogarinë e presidencës në Twitter.

Përpara takimit, Jozef Sikela, ministri çek për tregtinë dhe energjinë, kishte paralajmëruar se “dimri po vjen” dhe u kërkoi kolegëve të tij të përpiqen për një marrëveshje.

“Ne nuk e dimë se sa ftohtë do të jetë, por ajo që dimë me siguri është se [Vladimir] Putin do të vazhdojë të luajë lojërat e tij të pista në keqpërdorimin dhe shantazhimin përmes furnizimeve me gaz dhe kjo është diçka për të cilën duhet të përgatisim familjet dhe ekonomitë tona dhe ne duhet t’i mbrojmë ata”, shtoi Sikela.

Në tekstin origjinal, Komisioni propozoi që të 27 vendet anëtare të ulin konsumin e gazit me 15 për qind nga gushti deri në mars 2023. Faza e parë do të jetë vullnetare, bazuar në koordinimin, ndërrimin e karburantit, kufijtë e temperaturës dhe fushatat informuese. /Telegrafi/