Site icon Telegrafi

Arrin komedia e re në Cineplexx e Ermal Mamaqit dhe Elvana Gjatës

Në kinemanë austriake në Prishtinë fillon shitja e biletave për komedinë romantike “2 Gisht Mjaltë”.


Kjo e fundit  vjen me protagonistë kryesorë aktorin dhe moderatorin e njohur, Ermal Mamaqi, si dhe këngëtaren shumë të dashur nga publiku, Elvana Gjata, të cilët për herë të parë do t’i shohim në rolin e aktorëve.

Xhirimet e këtij filmi kanë mbaruar në shtator të vitit të kaluar ku gjatë kësaj kohe janë bërë ekzekutimet përfundimtare.

Sa i përket ngjarjes së filmit, ajo zhvillohet rreth një çifti që mundohen ta realizojnë një muaj mjalti në Karaibe, por një gabim në blerjen e biletave i bën ata që të enden rrugëve të jugut të Shqipërisë duke përjetuar peripeci nga më të ndryshmet.

Filmi është me regji nga Emir Khalilzadeh dhe vetë Ermal Mamaqi. në rolet tjera si aktorë do të shfaqen edhe Koço Devole, Marjana Kondi, Bujar Asqeriu, Natasha Sela, Ervin Doko, Ervin Bejleri, Olta Daku, Eglein Laknori, Blerim Destani e të tjerë.

Premiera e këtij filmi në Cineplexx do të jetë me 28 mars prej orës 19:30. Biletat mund t’i blini çdo ditë pas orës 15:00 në arkat e Cineplexx. Për më shumë rreth orareve te filmit mund t’i gjeni në ueb-faqen e Cineplexx.

Exit mobile version