Telegrafi

Arrijnë ofertat e para për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Klinike në Shkup

Kompanitë nga Maqedonia, Sllovenia dhe Italia sot dorëzuan ofertat për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Klinike në Shkup. Me shpalljen publike për oferta filloi procedura, ndërsa njësia projektuese për rikonstruimin e Institucioneve Publike Shëndetësore (IPSH) ka kohë 90 ditë të bëjë vlerësimin. Në pajtueshmëri me procedurat, njësia do të duhet ta dorëzojë raportin te banka kreditdhënëse dhe pastaj do të nënshkruhet marrëveshje me kompaninë që ka ofertën më të mirë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Marrëveshje do të bëjmë me ata që kanë ofertën me çmimin më të ulët, por me kusht që t’i plotësojnë kriteret specifike financiare për ndërtimin e spitaleve të këtij lloji. Kemi tri oferta serioze që janë të përbëra nga konsorciume të më shumë kompanive dhe shpresoj se gjithçka të mbarojë me sukses”, u shpreh Jovan Gërpovski, nga njësia projektuese për rikonstruimin e IPSH.

Edhe pse buxheti i paraparë për ndërtimin e Qendrës Klinike është 68 milionë euro, megjithatë ofertat e tri kompanive janë prej 5 deri në 5 miliardë e gjysmë denarë. Nga Njësia projektuese për rikonstruimin e Institucioneve Publike Shëndetësore do të presin që të mbarojë vlerësimi i ofertave dhe pastaj do të tregojnë se kush do ta fitojë tenderin. Tenderin mund ta fitojnë 3 konsorciume të kompanive./Telegrafi/