Site icon Telegrafi

Arrijnë në Shqipëri helikopterët amerikanë Black Hawk, SHBA e quan historike

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar se nga SHBA ka arritur në Shqipëri kontigjenti i helikopterëve amerikanë UH-60 Black Hawk.

“Mbërritje historike e helikopterëve të parë UH-60 Black Hawk të Shqipërisë. Një avion transportues C-17 i Shteteve të Bashkuara erdhi sot në Tiranë për të dorëzuar porosinë e parë të Shqipërisë për helikopterë Black Hawk, mbështetur me mbi 50 milionë dollarë nga fondet e ndihmës së SHBA”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë, transmeton Telegrafi.

“Helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje. Shtetet e Bashkuara janë krenare për partneritetin e fortë me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi mbërritjen e këtyre helikopterëve si një investim “shumë të rëndësishëm për sigurinë e vendit, në bashkëpunim me aleatin strategjik, SHBA”.

Ai theksoi në rrjetin social Facebook se ky investim ndikon drejtpërdrejt në rritjen dhe modernizimin e Forcave Ajrore të Shqipërisë.

Edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, e quajti të rëndësishëm për vendin pajisjen me helikopterët dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.

Ai shtoi se mbrojtja dhe siguria e vendit mbeten prioritet “absolut”./Telegrafi/

Exit mobile version