Telegrafi

Arrijnë në Kosovë pajisjet e stadiumit Rasunda

 Të mërkurën arritën tre kamionët e parë, të cilët përmbanin nga një kontejner, kurse kamionët tjerë pritet të mbërrijnë gjatë 2-3 ditëve të ardhshme. Gjithsej janë 12 kamionë.

‘Rasunda’ deri më tani përdorej për ndeshjet e Kombëtares së Suedisë, mirëpo pas ndërtimit të stadiumit të ri, me ndërmjetësimin e përzgjedhësit të Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, Federata e Futbollit e Suedisë vendosi t’ia dhurojë Kosovës pajisjet e këtij stadiumi, njofton gazeta ‘Sport’.

Tre kontejnerët e parë përmbanin pajisje elektrike kryesisht për zërim, një pjesë të karrigeve, mbulesë për barin e fushës, rimorkio dhe kabina të biletave. Karriget, mbulesa dhe rimorkio do t’i takojnë stadiumit të Prishtinës, ndërsa karriget që do të teprojnë, do t’u ndahen stadiumeve tjera. Ndërkohë, pajisjet tjera të ‘Rasundas’ do të shkojnë për stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë./Telegrafi/