Site icon Telegrafi

Arrihet në parim marrëveshja: SPD, Gjelbrit dhe Liberalët do ta formojnë qeverinë e re të Gjermanisë

Social Demokratët (SPD), të Gjelbrit dhe Liberalët (FDP) kanë arritur një marrëveshje në parim mbi formimin e koalicionit qeverisës në Gjermani.

Udhëheqësit e tre partive u kanë rekomanduar partive të tyre që të fillojnë zyrtarisht negociatat e koalicionit, që është një hap më pranë qeverisë së re, e cila besohet se do të udhëhiqet nga Olaf Scholz.

“Ne jemi të bindur se mund të përfundojmë një marrëveshje ambicioze dhe të qëndrueshme të koalicionit”, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Pas takimit të drejtuesve të tre partive, Olaf Scholz (SPD) iu drejtua publikut, duke thënë se “kjo është ajo që i duhet Gjermanisë”.

Të tre palët ranë dakord që lufta kundër ndryshimeve klimatike do të ishte primare, shpjegoi Scholz.

Lexo po ashtu Deputetët gjermanë si nxënësit e klasave të para: Liberalët nuk dëshirojnë të ulen pranë të djathtëve

“Ky ndoshta do të jetë projekti më i madh i modernizimit të industrisë në 100 vitet e fundit”, shtoi ai.

Nëse marrëveshja nënshkruhet përfundimisht, Gjermania do të marrë të ashtuquajturin koalicion “semafor”, por edhe një kancelar të ri. /Telegrafi/

Exit mobile version