La Liga thuhet se ka rënë dakord me Villarrealin dhe Atletico Madridin që të zhvillojnë ndeshjen mes tyre në dhjetor në Miami.
Sipas mediumit të njohur El Confidencial marrëveshja është bërë në një nivel bordi – me presidentët e të dy klubeve që thuhet se janë ndër më të afërtit me kryetarin e La Ligës, Javier Tebas.
Ky takim pritet të zhvillohet në Miami me 8 dhjetor dhe këtë e ka konfirmuar edhe presidenti i Villarrealit.
“Shpresoj që kjo kohë të përfundojë, ne kemi filluar të shohim nëse Villarreal-Atletico mund të luhet në Miami”.
“Ne dhe Atletico kemi rënë dakord të luajmë në Miami, por për mua do të dëshiroja që kjo të kishte konsensusin e të gjithëve”, konfirmoi presidenti i Villarrealit, Fernando Roig.
Argumenti i përdorur nga ligat dhe klubet përkatëse është se skuadrat dhe kampionati do të jenë në gjendje të përmirësojnë markën e tyre ndërkombëtare me një skemë të tillë.
LaLiga se llevará el Villarreal – Atlético de Madrid a Miami en diciembre https://t.co/xob463KtZ8
— El Confidencial (@elconfidencial) October 17, 2019
Në teori, loja do të luhej në Stadiumin Hard Rock, një terren që ka pritur pesë finale të Super Bowl.
La Liga u përpoq pa sukses që ndeshja Girona kundër Barcelonës të luhet në këtë stadium vitin e kaluar, por ky veprim tërhoqi shumë polemika. /Telegrafi/