Site icon Telegrafi

Arrihet marrëveshja, Telekomi nga e enjtja nis transmetimin e kanaleve të DigitAlb

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me DigitAlb, ku sot edhe zyrtarisht është nënshkruar kontrata, sipas të cilës Telekomi i Kosovës e merr të drejtën e transmetimit të kanaleve të DigitAlb në Kosovë për dy vitet e ardhshme.

“Kësisoj, abonuesve të Telekomit të Kosovës do t’u ofrohen kanalet dhe përmbajtja më e kërkuar televizive në hapësirat shqipfolëse. Këtu përfshihen: Top Channel, Klan Shqipëria, Klan Maqedonia, ligat më të njohura të futbollit evropian, filma të zhanreve më të shikuara, seriale me karaktere mbresëlënëse, programe edukative, dokumentarë magjepsës, BBVA3 që vjen në ekranet kosovare ekskluzivisht nëpërmjet TV Vala dhe shumë e shumë kanale të tjera të platformës DigitAlb, krahas atyre të Tring”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje në njoftim thuhet se nga kanalet sportive, pakot e reja të Telekomit të Kosovës përfshijnë edhe kanale sportive me lojërat e ligave më të njohura botërore, që ju mbajnë në teh të kolltukut, si: Liga Angleze “Premier League”, Liga Gjermane “Bundesliga”, Liga Italiane “Serie A”, Liga Holandeze “Eredivisie”, përfaqësuesja e Kosovës, FA Cup, kupat e Spanjës, FFF Coupe de France, kupa e Holandës, si dhe shumë evente të tjera sportive.

Lexo po ashtu “DigitAlb” pjesë e platformës së Telekomit nga gjysma e janarit

“Përmbajtja televizive do t’u ofrohet përmes platformës dhe pajisjeve OTT (TV Vala box), që janë pajisje të teknologjisë së fundit, të cilat e avancojnë përjetimin e konsumatorëve nëpërmjet mundësisë së shikimit të 25 kanaleve më të shikuara deri në 7 ditë mbrapa (Catch-up TV) dhe qasjes në katalogun e filmave në formë të një videoteke (VOD) e cila përmban filma të ndarë sipas zhanreve, që mund të shikohen ndaras nga kanalet televizive dhe në çdo kohë.

TV Vala do të mundësojë fleksibilitet në përdorim, duke mundësuar funksionim të aplikacionit në disa pajisje dhe përcjelljen e përmbajtjes (kanaleve) në disa pajisje në të njëjtën kohë”, thuhet tutje në njoftim.

Telekomi i Kosovës tutje ka theksuar se një mundësi e re në përdorim që e ofron është qasja në përmbajtjen e TV Vala pa pajisje fizike (Box), por vetëm nëpërmjet instalimit nga interneti të aplikacionit TV Vala në televizor, tablet, ose smartphone, pas nënshkrimit të kontratës nga konsumatori në pikat tona të shitjes ku ai merr edhe të dhënat për hapjen e aplikacionit (Userin dhe fjalëkalimin).

“Krejt kjo me një çmim shumë konkurrues u ofrohet konsumatorëve tanë, ndërkaq shitjet dhe instalimet e reja, përmes platformës me përmbajtje të re, do të fillojnë qysh nga pasnesër (ditë e enjte, datë 25.01.2024). Për çfarëdo informate shtesë, konsumatorët mund të drejtohen në Qendrën e Thirrjeve (në numrin pa pagesë 080010000) që është në shërbim 24/7, në faqen tonë zyrtare www.kosovotelecom.com dhe në profilet e TK/ Valës në rrjetet sociale, ku mund të bisedojnë drejtpërdrejt me ndonjë nga zyrtarët tanë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version