Telegrafi

Arrihet marrëveshja për ndërprejen e grevës së punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë

Foto: Arkiv

Nënkryetarja e Prishtinës, njëherit edhe u.d e detyrës së Drejtores së Drejtorisë së Arsimit, Jehona Lushaku sot gjatë ditës u takua me Kryetarin e Sindikatës të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, me të cilin diskutuan për grevën e punëtorëve tenik të mirëmbajtjes të objekteve shkollore në kryeqytet.

“Nënkryetarja Lushaku dëgjoi me kujdes kërkesat dhe nevojat e punëtorëve teknik të prezantuara nga Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, për të cilat tha se do të trajtohen menjëherë.
Palët gjatë takimit arritën marrëveshje”, thuhet në njoftim.

Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, është vendosur që greva e punëtorëve të mirëmbajtjes të ndërpritet, duke lejuar që shkollat të funksionojnë normalisht dhe të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të pastër për nxënësit e kryeqytetit.

Nënkryetarja e kryeqytetit dhe kryetari i Sindikatës shprehin falënderimin e tyre për të gjithë punëtorët për durimin dhe angazhimin e tyre gjatë kësaj periudhe të sfidave.

“Me urgjencë kam trajtuar çështjen e grevës së punëtorëve teknik në objektet shkollore të Kryeqytetit. Me këtë rast pas takimit me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, u pajtuam për ndërpreje të grevës nga nesër meqë kërkesa e tyre është plotësuar. U dakorduam që të plotësohen kushtet e kërkuara, ku përfshihet rritja e pagave”, deklaroi nënkryetarja Lushaku.

Kjo rritje e pagave është një përgjigje konkrete ndaj kërkesave të tyre dhe një shprehje e vlerësimit të punës së tyre të palodhur dhe të rëndësishme për mirëmbajtjen e ambienteve shkollore.

“Kjo marrëveshje tregon përmirësimin e dialogut social dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes lokale dhe punëtorëve.Po ashtu me Azemin, nënkryetarja u dakordua që gjatë javës të takojë punëtorët teknik të shkollave në kryeqytet”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/