Telegrafi

Arrihet marrëveshja për Autostradën

" Në orët e vona të ditës së shtunë kanë përfunduar negociatat mes Ministrisë së Transportit dhe kompanisë amerikane Bechtel për ndërtimin e autostradës Morinë – Besi.

Marrëveshja është përcjellë me debate të ashpra dhe tensione kohëve të fundit për shkak të disa pjesëve, të cilat janë rekomanduar të shkojnë pa projekt. Në fund, janë marrë vesh që projekti i autostradës të ndërtohet duke u ndarë në disa segmente, me projekte finale dhe me çmime të veçanta për segmentet e caktuara.

Tash, krejt çka pritet të bëjë kompania Bechtel, është të ndërtojë një segment dhe në anën tjetër të finalizojë projektin për segmentin e radhës.

“Krejt autostrada do të ndërtohet sipas projekteve për segmente të caktuara dhe do të përfundojë brenda afatit”, tha ky burim. Sipas po këtyre burimeve, projekti do të kushtojë diku rreth 700 milionë euro. Pas nënshkrimit të kontratës, kompanisë Bechtel i mbetet një muaj kohë për t`u mobilizuar dhe për të dalë në rrugë me makinerinë e saj. Brenda muajit prill mendohet të startojë ndërtimi.

Më herët, bisedimet për ndërtimin e autostradës ishin bllokuar pikërisht te projekti final i autostradës, të cilin nuk e ka pasur Bechtel, gjë që nuk e ka pëlqyer aspak Ministria e Transportit. Në anën tjetër Xhevdet Pozhari, zëdhënës në Ministrinë e Transportit, tha se ajo që deri tani dihet është se negociatat janë duke vazhduar dhe diçka konkrete nuk ka.

“Posa të sqarohen të gjitha pikat me kompaninë, atëherë do të dalim me një vendim. Ministria e Transportit është e interesuar që të arrihet një kontratë e favorshme dhe leverdishme”, ka thënë ai. Zëdhënësi kësaj ministrie, edhe një herë bëri të ditur se nëse teorikisht nuk ka marrëveshje me kompaninë e zgjedhur, atëherë do të shkojmë në bisedime me kompaninë e dytë sipas radhës, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti ka miratuar propozimin e Komitetit Ndërministror për ndërtimin e autostradës, për të filluar negociatat me kompaninë Bechtel & Enka, e cila ka ofruar që ta ndërtojë autostradën që parashihet të jetë rreth 103 kilometra e gjatë me 7.5 – 8 milionë euro për kilometër.

Në garë për këtë projekt ishte edhe kompania austriake Strabag, e cila në ofertën për ndërtimin e autostradës ishte bazuar sipas projektit i cili ekzistonte më herët, që traseja të kalonte nga Merdari, Prishtina, Lipjani, Suhareka, Prizreni, Vërmica dhe kostoja e tërë kësaj, me tunele, do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Konzorciumi Bechtel & Enka në ofertën e vet kishte propozuar që të eliminoheshin tunelet dhe traseja të kalonte nga Merdari, Prishtina, Sllatina, që lidhte aeroportin dhe kalonte nga rruga ekzistuese në Komoran, Arllat, ku më pastaj vazhdon drejt Malishevës, Suharekës dhe Prizrenit.

Ministri i Transportit, Fatmir Limaj, pati shpjeguar se, sipas propozimit të kompanisë, për 36 muaj pritet përfundimi i gjithë autostradës nga Besia në Sllatinë – Arllat dhe pastaj nga Arllati në Vermicë. Kjo si duket edhe i ka dhënë vulën kontratës mes Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit amerikano-turk Bechtel & Enka.