Ministria e Financave dhe CEB nënshkruan marrëveshje me vlerë 25 milionë euro me synim banimin e përballueshëm për familjet e cenueshme në Kosovë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Guvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Carlo Monticelli nënshkruan sot marrëveshje me vlerë 25 milionë euro për krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës të banimit social.
Projekti në fjalë ka fokus të veçantë familjet e cenueshme të shoqërisë të cilat kanë të ardhura të ulëta pa zgjidhje banimi.
“Përmes marrëveshjes parashihet shndërrimi i ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale dhe të përballueshme, renovimi i shtëpive të cilat janë në pronësi të familjeve me të ardhura të ulëta si dhe ndërtimi i banesave të reja kolektive sociale”, njofton Ministria e Financave.
Në ceremoninë e nënshkrimit, ministri Hekuran Murati shprehu se “projekti për banimin social do të garantojë akomodimin e dinjitetshëm dhe të përballueshëm për familjet e cënueshme”.
Ndërsa, Guvernatori Monticelli deklaroi se “kjo iniciativë do të ndihmojë në realizimin e objektivit të përgjithshëm të vendit për krijimin e banimit social gjithëpërfshirës për qytetarët e Kosovës”.
Të dyja palët u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë akomodim të përballueshëm, efiçient dhe të sigurtë./Telegrafi/