Telegrafi

Arretohen dy persona, morën me qira veturën luksoze nga Zvicra për ta shitur në Shqipëri

Një person është arrestuar dhe 2 të tjerë u proceduan penalisht nën akuzën e trafikimit ndërkombëtar të mjeteve motorike, teksa në kërkim është shpallur dhe një shtetas rumun.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se disa shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin trafikuar në vendin tonë, një automjet të marrë me qira në Zvicër, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Brabus”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi K. Ç. (C)., 53 vjeç, banues në Laç, si dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit D. Ll., 35 vjeç, banues në Mamurras, dhe A. K., 40 vjeç, banues në Laç.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi H. B., 25 vjeç, banues në Rumani.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi H. B., ka marrë me qira një automjet tip “Benz”, në Zvicër, të cilin më pas në bashkëpunim me shtetasin K. Ç. (C)., e kanë trafikuar në Shqipëri.

Të katër shtetasit më pas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr automjetit, pajisjen GPS, me qëllim shitjen e tij.

Shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar automjetin e dyshuar në Mamurras, së bashku me shtetasit A. K., dhe D. Ll., të cilët gjatë ndërhyrjes, kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Vijon puna për kapjen e shtetasit H. B., si dhe të personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.