Një shtetas turk është arrestuar nga policia në pikën kufitare të Muriqanit, pasi ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar, raporton A2 CNN.
“Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan, shërbimet e Policisë Kufitare si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar: A.O., 34 vjeç, banues në Turqi”, tha policia.
Gjykata e Krimeve të Rënda e Sakarya/Turqi e ka dënuar me 13 vjet, 2 muaj e 10 ditë, koha e mbetur për tu kryer nga ky dënim është 10 vjet e 20 ditë, për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike”.