Policia gjermane ishte thirrur në vendin e ngjarjes rreth orës 8.50 të mbrëmjes sipas kohës lokale pasi u alarmuan për një situatë të dhunshme në stacionin qendror të trenave në Dusseldorf.
Policia ka bërë të ditur se pesë persona janë lënduar, por kanë konfirmuar tashmë se kjo shifër është rritur në shtatë, me tre të plagosur rëndë, përcjell Telegrafi.
Pas kësaj është bërë e ditur se policia gjermane ka arrestuar një 36 vjeçar, i cili sipas medieve të huaja, është me origjinë nga territori i ish-Jugosllavisë.
Po sipas medieve të huaja, i dyshuari është nga Wupertal, qytet 28 kilometra nga Duseldorfi – një person me probleme shëndetësore.
Policia ka gjetur edhe sëpatën e sulmuesit por më parë kishte thënë se ende nuk është e qartë nëse ai ka vepruar i vetëm, pasi pamjet e kamerave të sigurisë kanë kapur një person që po largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Kërkimet tani kanë përfunduar dhe policia në bazë të një hetimi paraprak sugjeron se ka pasur vetëm një autor, përcjell Telegrafi.
Pas inspektimit të policisë, stacioni hekurudhor në Dusseldorf është rihapur për publikun dhe të gjitha kufizimet janë hequr rreth orës 00:45 sipas orës lokale, me përjashtim të atyre të vendit ku ishte kryer sulmi, pasi njësitë e forenzikës po vazhdojnë punën e tyre.
Një zëdhënës i policisë ka thënë më herët se i dyshuari është i plagosur rëndë dhe gjendet në spital. Deri më tani nuk është dhënë asnjë informacion mbi motivin. /Telegrafi/