Telegrafi

Arrestohet sulmuesi i Prishtinës Otto John, dyshohet për vepër të rëndë penale

Sulmuesi i Prishtinës, Otto John është arrestuar gjatë ditës së djeshme (e enjte, 05.05.2022), nga Policia e Kosovës.

Ka qenë Policia e Kosovës që ka njoftuar se një shtetas nigerian është arrestuar, derisa Telegrafi ka marrë vesh se ai është sulmuesi i Prishtinës, Otto John.

Burime të Telegrafit brenda klubit kryeqytetas kanë konfirmuar lajmin për arrestimin e John, por pa dhënë detaje për rastin në fjalë.

“Prishtinë 05.04.2022 – 07:00. Në lidhje me rastin është raportuar se me 05.05.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Nigerisë dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Gjithnjë sipas burimeve të Telegrafit, John është arrestuar pasi dyshohet se akuzohet për vepër të rëndë si trafikim i qenieve njerëzore.

Deri më tani nga klubi i FC Prishtinës nuk kanë dalë me ndonjë deklaratë publike për rastin në fjalë. /Telegrafi/