Policia Kufitare ka arrestuar një shtetas malazez, i cili është kapur teksa po tentonte të dilte nga Shqipëria me mjete identifikimi false.
“Në vijim të verifikimeve në hyrje/dalje të Shqipërisë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë konstatuar se shtetasi malazez I. V., në dalje të Shqipërisë, kishte paraqitur në sportel, një pasaportë të dyshuar të falsifikuar. Gjatë kontrolleve dhe veprimeve të tjera procedurale, këtij shtetasi iu gjetën dhe 1 kartë identiteti dhe 1 leje drejtimi me gjeneralitetet e një shtetasi tjetër, italian”, tha policia.
Të treja dokumentet e dyshuara të falsifikuara u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa shtetasi I. V., 42 vjeç u arrestua në flagrancë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme. /Telegrafi/