Site icon Telegrafi

Arrestohet shqiptari më i rrezikshëm në Evropë

I konsideruar si shqiptari më i rrezikshëm në Evropë – ai që futi për herë të parë në BE heroinën e talebanëve nga Afganistani dhe “kokainën rozë” nga Bolivia – është vënë në pranga në afërsi të Vjenës, në Austri. Arrestimi është bërë nga forcat speciale austriake për llogari të drejtësisë italiane, që e ka dënuar atë me 12 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge. Madje, mediat italiane shkojnë edhe më tej, duke shkruar se shqiptari ka lidhje edhe me anëtarë të organizatës terroriste al-Qaeda.

Bëhet fjalë për Blenard Fejzulla, nga Fieri, që edhe për drejtësinë shqiptare nuk është një emër i panjohur. Madje, ai ka vuajtur në Shqipëri gjashtë vite burgim, si pjesë e grupit VIP të drogës, të quajtur “Kompas”, pjesë e të cilit ishte edhe Arjan Selimi, ish-bashkëshorti i Inis Gjonit, i vrarë në një atentat rreth pesë vjet më parë.

Fejzullai u arrestua disa muaj më parë në Tiranë e megjithatë Gjykata nuk lejoi ekstradimin e tij drejt Italisë. Duket se atë që nuk e bëri drejtësia shqiptare, vendosën ta bëjnë forcat speciale të Austrisë, që e mbanin nën vëzhgim që prej muajit mars. Tri ditë më parë, në veri të Vjenës, në Korneuburg, Policia austriake ka prangosur 40-vjeçarin nga Fieri, që u kishte shpëtuar me dhjetëra herë. /Panorama/

Exit mobile version