Telegrafi

Arrestohet shqiptari në Zvicër, krijoi “pëllumba kamikazë” (Video)

Një shqiptar akuzohet se ka lyer pëllumbat me helm, për të vrarë më pas skifterët dhe grabitqarët e tjerë, në disa raste të mbrojtura me ligj.

Rasti paraqitet i rëndë, pasi helmi i pëllumbave është paraqitur i dëmshëm edhe për fëmijët që mund të preknin pëllumbat.

Një krim i padëgjuar më parë ka ndodhur me një shqiptar. Ai ka blerë helm në Serbi dhe i ka lyer pëllumbat me këtë substancë në Zvicër. Kur skifterët i kanë rrëmbyer pëllumbat dhe kanë tentuar t’i hanë, kanë ngordhur menjëherë.

Në aktakuzë, siç shkruajnë gazetat zvicerane, shpjegohet hollësisht se si ka vepruar shqiptari 42-vjeçar me shtetësi zvicerane dhe i lindur në një qytet në Maqedoni.

Ky dashamirës i pëllumbave kishte blerë në Serbi helmin “Carbofuran”, i cili është i ndaluar në Zvicër dhe në BE.

Bëhet fjalë për helm nervor, transmeton BW.

Në gusht të vitit të kaluar ai zgjodhi njërin prej gati 200 pëllumbave të tij dhe e leu me helm në pjesën e zverkut. Pastaj e la të lirë të fluturojë. Qëllimi i tij ishte që pëllumbi të përfundonte në kthetrat e një skifteri shtegtar. Kësaj radhe pëllumbin e zuri një skifter, po ashtu shpend i mbrojtur në Zvicër.

Për një kohë të gjatë ai ishte i pakapshëm për policinë, por tashmë është arrestuar. Ai do të duhet të përgjigjet para Gjykatës së rrethit në Dielsdorf, ndërsa ende nuk dihet data e saktë. Shqiptari ka pranuar akuzën dhe mund të dënohet me 11 muaj heqje lirie dhe gjobë prej 4000 frangash.