Telegrafi

Arrestohet shefi i inteligjencës sllovake – dyshohet se është kreu i një grupi kriminal

Policia sllovake ka akuzuar kreun e shërbimit të inteligjencës dhe zyrtarë të tjerë të lartë të sigurisë për formimin e një grupi kriminal dhe komplot duke shpërdoruar pozicionin e tyre, vetëm disa javë para zgjedhjeve të parakohshme.

Votuesit sllovakë shkojnë në kutitë e votimit më 30 shtator. Vendi, i cili është anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, qeveriset nga një kabinet i përkohshëm pasi koalicioni i mëparshëm qeverisës humbi besimin e parlamentit në dhjetor të vitit të kaluar.

“Hetuesi ka ngritur aktakuzë për veprën penale të krijimit, formimit dhe mbështetjes së grupit kriminal, veprës penale të shpërdorimit të autoritetit publik dhe veprës penale të pengimit të drejtësisë”, tha drejtori policisë, Stefan Hamran, raporton abcnews.

Policia i identifikoi të pandehurit vetëm me emra, por Hamran konfirmoi se kreu aktual i Shërbimit Informativ sllovak, Roman Alaç, paraardhësi i tij, Vladimir Pçolinski dhe drejtori i Drejtorisë së Sigurisë Kombëtare, Roman Konecny, janë në mesin e të pandehurve.

Kryeministri i përkohshëm, Ludovit Odor thirri një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të premten, ku do të diskutohet për rastin.

Ndryshe, që kur qeveria e re mori pushtetin, një numër zyrtarësh të lartë, oficerë policie, gjyqtarë, prokurorë, politikanë dhe biznesmenë janë akuzuar për korrupsion dhe krime të tjera. /Telegrafi/