Telegrafi

Arrestohet sërish Stresi

Stresi (Foto: Instagram/Stresi)

Arkimed Lushaj, i njohur me emrin artistik Stresi, është arrestuar nga Task Forca e Policisë së Shtetit – bëjnë të ditur mediat shqiptare.

Burime nga policia kanë thënë për Panorama se reperi është ndaluar teksa ishte në një hotel. Në dhomën ku është ndaluar Lushaj, është gjetur edhe një pistoletë pa leje, shtuan të njëjtat burime.

Gjatë aksionit, mësohet se është gjetur edhe një sasi e vogël kokaine.

Pas ndalimit në hotel, Lushaj është transportuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për veprimet e mëtejshme procedurale.

Lexo po ashtu Lajmet për STRESIN

Kjo nuk është hera e parë që Stresi ndalohet nga efektivët e policisë për armëmbajtje pa leje. Në vitin 2012, ai u arrestua gjatë kohës, që po dilte nga një lokal nate, pasi me vete kishte një pistoletë pa leje.

Ndërsa disa muaj më parë, ai u ndalua pasi ndodhej në një lokal në kryeqytet ku policia gjeti kokainë.

Vëmendjes e medias nga familja Lushaj një ditë më parë, e mori i ati i këngëtarit, i cili depozitoi një padi për shpifje në Gjykatën e Tiranës, kundër Taulant Ballës, kryetarit të grupit parlamentar socialist.

Ndërkohë, që këto ditë Stresi është prezantuar në Festivalin “Kënga Magjike” me një këngë dedikim për nënën e tij, “Të du mom”.