Hetues policorë të Stacionit Policor ”Veriu” në Prizren, pas një pune hetimore disaditëshe kanë arritur që ta identifikojnë e më pas ta arrestojnë të dyshuarin J. Doqaj nga fshati Marmull i Gjakovës mbi bazën e dyshimit se i njëjti në bashkëpunim edhe me një të dyshuar nga Shqipëria në dy data të ndryshme, me 12 korrik dhe 19 korrik kanë plaçkitur dy vetura: njërën në Arbanë dhe tjetrën në Piranë të Prizrenit.
I dyshuari është arrestuar nga policia në shtëpinë e tij në Marmull pas një bastisje të organizuar nga Policia e Prizrenit dhe ajo e Gjakovës.
Gjatë bastisjes është sekuestruar një veturë e llojit Golf dhe dokumente të veturave të plaçkitura të cilat do t’i kalojnë prokurorisë së shtetit në cilësi të provës materiale.
I dyshuari në prani të avokatit mbrojtës e ka sqaruar mënyrën se si i kontaktonte pronarët e veturave që ishin në shitje pastaj i mashtronte duke ua marrë çelësat kinse për ta provuar veturën dhe zhdukej në drejtim të panjohur.
Hetuesit thonë se veturat e plaçkitura i dyshuari nga Shqipëria i kalonte kontrabandë andej kufirit. Pas intervistës është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalet nën masën e arrestit. Policia po bën përpjekje për kapjen e të dyshuarit tjetër.