Site icon Telegrafi

Kishin djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marr peng, dhunuar e rrahur – arrestohen pesë persona për krime lufte

Foto: Ilustrim/Arkiv

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë e Krimeve të Luftës, si dhe në koordinim me institucionet e sigurisë e gjykatën kompetente, ka udhëhequr një aksion, i cili ka rezultuar me arrestimin e ndalimin e pesë personave të dyshuar për veprën penale “Krime Lufte”.

Në kuadër të këtij aksioni, me urdhër të Prokurorit Special, janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë  tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.

“..me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për personat e lartcekur do t’i ndërmerr veprime e mëtejme procedurale ligjore, derisa ndaj kësaj çështjeje penale do të vazhdojë me zhvillimin e hetimeve. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version