Telegrafi

Arrestohet pas tri orë ndjekjeje Lul Rakaj, plagosi dy persona në Malësi të Madhe

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes së dyfishtë që ndodhi në Malësinë e Madhe.

Sipas një njoftimi zyrtar, Lul Rakaj u arrestua pas një operacioni intensiv të kërkimit, ku forcat policore ngritën pika kontrolli përreth zonës ku ndodhi incidenti.

“Nisur nga fakti që autori ishte i armatosur, përkrah Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Komisariatit të Malësisë së Madhe, në operacion u përfshinë edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe dy grupe të Forcave Speciale RENEA,” njoftoi policia. “Gjithashtu, Shërbimet e Policisë Kufitare ndërmorën masa për të bllokuar kufirin me qëllim parandalimin e largimit të autorit drejt Malit të Zi.”

Pas rreth tre orë kërkimesh, forcat e RENEA-s lokalizuan dhe rrethuan Rakajn në zonën e ballkonit të Tamarës.

Pavarësisht thirrjeve për t’u dorëzuar, Rakaj tentoi të largohej disa herë duke përfituar nga terreni i vështirë dhe reshjet e shiut, por nuk ia doli dhe përfundimisht u arrestua.

Incidenti ndodhi mëngjesin e së dielës në fshatin Vrakë, pranë hyrjes së një lokali, ku Rakaj dyshohet se qëlloi me armë zjarri dhe plagosi Besmir Qofin dhe Avenir Hasanajn.

Të plagosurit u dërguan në spitalin rajonal të Shkodrës.

Motivet dhe rrethanat e ngjarjes janë ende nën hetim./Telegrafi/