Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor.
Sipas njoftimit për media, arrestimi i zyrtarit policor i cili ka qenë hetues i stacionit policor Graçanicë në Prishtinë është bërë sot rreth orës 14:00.
Në njoftim thuhet se arrestimi është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Përvetësimi i kundërligjshëm i pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimit gjyqësor”, nga neni 436 të Kodit Penal të Kosovës.
Sipas komunikatës për media, IPK ka kryer bastisjen në dy lokacione (shtëpinë dhe zyrën e të dyshuarit), me ç’rast janë konfiskuar disa sende në cilësinë e provave materiale.
Në njoftim theksohet se të njëjtit me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, dhe se IPK-ja ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për zyrtarin policor tashmë të arrestuar si të dyshuar për rastin si më lart./Telegrafi/