Telegrafi

Arrestohet një zyrtar doganor në Han të Elezit, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

Dogana e Kosovës njoftoi të premten se oficerët e saj të hetimeve kanë arrestuar një zyrtar doganor në Han të Elezit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit, i njëjti bashkë me katër të dyshuar janë zënë në flagrancë pas një hetimi disa mujor. Të gjithë thuhet se janë dërguar në mbajtje.

“Hetuesit e Doganës në bashkëpunim me Prokurorinë pas një hetimi disa mujor sot me 14/10/2022 në orët e hershme të mëngjesit kanë zënë ne flagrancë zyrtarin Doganor dhe katër (4) të dyshuar (të gjithë janë dërguar në mbajtje)”, thuhet në njoftimin për media.

Dyshohet se zyrtari i arrestuar në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke futur në Kosovë mallra pa pagesën e taksat doganore.

Ky rast është vazhdimësi e politikës së doganës “Zero tolerancë për keqpërdorim të detyrës dhe korrupsion”. /Telegrafi/