Site icon Telegrafi

Arrestohet një tjetër vrasës shqiptar në Angli

Një shqiptar i ekstraduar 5 vite më parë, i dënuar me 15 vjet burg në Shqipëri ka mundur të hyjë sërish në Britaninë e Madhe. Ardian Rragami, 45 vjeç, hyri në Angli me një pasaportë kosovare në vitin 1998, pasi kishte vrarë një person në vendlindjen e tij, në Shkodër.

Në Shqipëri, Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me 15 vjet burg për vrasjen e shtetasit Qemal Kola, pas një sherri banal në një lokal. Në shtator të vitit 2009 ai u ekstradua dhe iu dorëzua drejtorisë së burgjeve në Rinas.

Nën emrin Ardian Gashi, kishte përfituar azil në Angli dhe punonte në një firmë ndërtimi në Eseks, ku u zbulua nga Interpoli.

Pasi përfitoi ulje dënimi në Apel, ai u bashkua me familjen e tij në Hertfordshire në vitin 2014. Mediat britanike po e ndjekin rastin e tij, pasi vlerësojnë se Anglia është kthyer në strehën e vrasësve shqiptarë.

Zyra e Punëve të Brendshme në Britaninë e Madhe bën të ditur për gazetës “Daily Mail” se ai është ndaluar dhe se po ndiqeshin procedurat për ta dëbuar sërish Rragamin, për shkak të “dënimit të tij”.

Exit mobile version