Site icon Telegrafi

Arrestohet një polic dhe një zyrtar doganor, të dyshuar për korrupsion

Foto: Ilustrim

Të hënën, Task Forca e përbashkët Doganë-Polici në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë identifikuar një rast korrupsioni ku të dyshuar ishin një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor.

Inspektorati Policor i Kosovës në njoftimin e bërë për media thotë se kanë reaguar menjëherë pas informatave, transmeton Telegrafi.

“Menjëherë pas dyshimit se zyrtarët në koordinim merrnin pagesa të jashtëligjshme u njoftua Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe njësitë relevante të Doganës të cilët në koordinim realizuan arrestimin e një zyrtari doganor dhe një zyrtari policor për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme.Të dy zyrtarët u ndaluan nën dyshimin se kishin bashkëpunuar për marrje të parave nga drejtues të kamionëve për të lehtësuar kalimet nëpër Pikën Kufitare Hani i Elezit”, thuhet në njoftim.

IPK njofton se dy të arrestuarit do të përballen me procedurat ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të njëjtëve me aktvendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit doganor dhe policor të Kosovës.

“Task Forca Doganë-Polici mbetet e angazhuar në mënyrë të vendosur për të çrrënjosur çdo formë të sjelljes së paligjshme dhe për të siguruar mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit. Dogana e Kosovës dhe IPK inkurajojnë qytetarët që të raportojnë çfarëdo akti të paligjshëm përmes mekanizmave të dedikuar të raportimit për të rritur më tej transparencën dhe sigurinë në shërbimet tona”, vijon njoftimi.

Ndalohet një zyrtar policor dhe një zyrtar doganor për veprën penale “Marrja e ryshfetit’

Për rastin kanë njoftuar edhe nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, dy persona të dyshuar, një zyrtar policor dhe një zyrtar doganor, në pikën kufitare Hani i Elezit, për shkak të dyshimit se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’ nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarve të lartëcekur  do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version