Site icon Telegrafi

Arrestohet një person në Prishtinë për dhunë në familje, policia i sekuestron armë dhe substancë narkotike

Një person me inicialet D.A i moshës 35 vjeç është arrestuar pasi kishte ushtruar dhunë në familje të martën rreth orës 21:00 në rrugën “Xhemajl Mustafa”, në Prishtinë.

Sipas raportit të policisë, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar, ndërlidhur me rastin, policia ka kryer edhe një operacion bastisjeje, me ç’rast nga kontrollet e detajuara janë gjetur dhe sekuestruar armë si dhe sasi e konsiderueshme e substancave narkotike.

“Policia e rajonit të Prishtinës e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj,  i ka dhënë përparësi luftës kundër disa shqetësimeve dhe rasteve specifike të ndodhura kohëve të fundit. Pas një informate të pranuar mbrëmë rreth orës 21:00, se në rrugën ‘Xhemajl Mustafa’ në Podujevë, viktima një femër, 30 vjeç, i ishte ekspozuar dhunës në familje, policia e stacionit policor të Podujevës ka organizuar punën e saj me veprime operative të cilat kanë rezultuar me kapjen e të dyshuarit; D. A. 35 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës. Ndërkohë që i dyshuari është arrestuar, ndërlidhur me rastin policia ka kryer edhe një operacion bastisjeje, me ç’ rast nga kontrollet e detajuara janë gjetur dhe sekuestruar; Një  revole e llojit SigSauer, kalibër 7.65 mm, një karikator, dy copë fishek, kalibër 7.65, një shufër metalike,  dy thika dhe mjete të tjera të mprehta, si dhe sasi e konsiderueshme e substancës narkotike që dyshohet të jetë kanabis”, thuhet në raport.

Tutje bëhet e ditur se i dyshuari pas arrestimit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë dhe ndaj tij me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim për rastet; dhunë në familje, posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope  dhe analoge si dhe mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armës. /Telegrafi/

Exit mobile version