Site icon Telegrafi

Arrestohet një kontrabandist në Peru me mbi 300 tarantula të lidhura në trupin e tij

Policia në Peru ka arrestuar një burrë duke u përpjekur të largohej nga vendi me 320 merimanga të llojit tarantula, 110 centipedë dhe nëntë milingona të quajtura Bullet të lidhura në trupin e tij.

Shtetasi 28-vjeçar i Koresë së Jugut u ndalua në Aeroportin Ndërkombëtar Jorge Chavez në Lima pasi zyrtarët vunë re se stomaku i tij dukej “i fryrë”, sipas një deklarate nga shërbimi kombëtar i pyjeve dhe kafshëve të egra të vendit.

Sipas deklaratës, kërkimi zbuloi qindra insekte të paketuara dhe të lidhura me zinxhir në bark.

Bëhet e ditur se i arrestuari po udhëtonte për në Korenë e Jugut nëpërmjet Francës, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Insektet mendohet se janë marrë nga rajoni Madre de Dios në Amazonë.

Tani ato janë nën kujdesin e autoriteteve.

“Tarantulat janë një specie e kërcënuar”, shpjegoi në deklaratë Walter Silva, specialist i kafshëve të egra në SERFOR.

“Ato të gjitha janë nxjerrë në mënyrë të paligjshme dhe janë pjesë e trafikut të paligjshëm të kafshëve të egra me vlerë miliona dollarë globalisht”, shtoi Silva.

Ndryshe, Peruja nuk është i vetmi vend i Amerikës së Jugut që përballet me trafikimin e kafshëve të egra.

Në dhjetor 2021, autoritetet në Kolumbi kapën të paktën 232 tarantula, 67 milingona, nëntë vezë merimangash dhe një akrep me shtatë të vegjlit e tij, të gjitha të fshehura në një valixhe në aeroportin El Dorado në Bogota.

Dhe në shtator të atij viti, zyrtarët kolumbianë konfiskuan një ngarkesë prej gati 3,500 krahë peshkaqeni të destinuar për në Hong Kong. /Telegrafi/

Exit mobile version