Site icon Telegrafi

Arrestohet një gjeneral i forcave ajrore, në lidhje me tragjedinë e Chapecoenses

Autoritetet boliviane e kanë arrestuar shefin e kompanisë ajrore, të përfshirë në rrëzimin e aeroplanit në javën e kaluar, ku humbën jetën 71 njerëz, në mesin e tyre edhe shumica e futbollistëve të klubit brazilian, Chapecoense.

Njoftohet se Gustavo Vargas, një gjeneral i pensionuar i forcave ajrore, është ndalur nga policia si pjesë e një hetimi, ku përfshihet kompania ajrore, LaMia. Ai ka qenë pilot për disa presidentë të Bolivisë gjatë viteve 2001-2007 duke përfshirë edhe presidentin aktual, Evo Morales.

Atij i janë konfiskuar edhe dokumentet dhe kompjuterët si pjesë e hetimit për të zbuluar nëse kompania ishte përgjegjëse për rrëzimin e aeroplanit. Autoritet e arrestuan Vargasin në zyrë dhe e dërguan atë në Zyrën e Prokurorisë së Qarkut të Santa Cruzit.

Bashkë me të është arrestuar edhe një prej sekretarëve të kompanisë dhe një anëtar i stafit teknik, njofton Telegrafi.

Lexo po ashtu Legjendarët kthehen në Brazil: Skena emocionuese teksa 100 mijë tifozë të Chapecoense u japin lamtumirën e fundit ‘kampionëve të përjetshëm’ (Foto/Video)

Lojtarët e Chapecoenses ishin nisur për në stadiumin Atanasio Girardot të Medellinit në Kolumbi, për të zhvilluar finalen e Copa Sudamericana kundër Atletico Nacional.

Mirëpo, aeroplani me të cilin udhëtonin, është rrëzuar në Kolumbi. Klubi brazilian është shpallur kampion i Copa Sudamericana nga CONMEBOL, pasi këtë e kërkoi kundërshtari i tyre.

Lexo po ashtu Zyrtare: Chapecoense fitues i ‘Copa Sudamericana’, përfitojnë edhe financiarisht

Nga ana tjetër, Atletico Nacional ka marrë një çmim për lojë të ndershme, për shkak të këtij gjesti. /Telegrafi/

Lexo po ashtu TË GJITHA LAJMET PËR TRAGJEDINË E LOJTARËVE TË CHAPECOENSES
Exit mobile version