Policia ka ndjekur hetimet të ndërtuara mbi bazën e dyshimit për përfshirjen e mundshme të së dyshuarës në vepra penale të mashtrimit me premtim të rregullimit të vizave për ekskursion të nxënësve nga Kosova në Angli ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
Sipas tij e dyshuara është arrestuar në një shkollë private të gjuhës angleze në Mitrovicë, pronare e së cilës është vetë e dyshuara, ndërsa 13 pasaporta të Republikës së Kosovës janë sekuestruar nga Policia e Kosovës në objektin shkollor privat të gjuhës angleze.
Gjatë bastisjes, në çantën personale të së dyshuarës policia ka sekuestruar një armë së bashku me 11 fishekë. Si pjesë e procedurave të parapara në vazhdimësi të hetimeve, policia ka bërë kontrollin e banesës së të dyshuarës në Mitrovicë, ndërsa janë identifikuar edhe 3 pasaporta të tjerë të Republikës së Kosovës.
Dyshohet se ajo, me premtim për rregullim të vizave angleze, për organizim në një ekskursion në Angli, nxënësve u ka kërkuar para në vlerë prej 500-800 euro, ndërsa udhëtimi nuk është realizuar asnjëherë deri më tani, ka thënë policia.
Veç rastit të iniciuar si vepër penale me elemente të mashtrimit, policia e Kosovës ka iniciuar edhe një paraqitje penale për “mbajtje në pronësi, kontroll dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.
Prokurori publik i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, i cili është informuar lidhur me veprimet e ndërmarra të policisë, ka autorizuar lirimin e të dyshuarës nga ndalimi policor, ndërsa rasti do të dorëzohet në procedurë të rregullt gjyqësore. /Koha//Telegrafi/