Telegrafi

Arrestohet një boshnjak i dyshuar për kryerjen e masakrës së Staradamës në Istog, ku u vranë 18 persona

Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, ka arrestuar të mërkurën të pandehurin me inicialet E.B, i nacionalitetit boshnjak.

PK bën të ditur se i pandehuri E.B., dyshohet se gjatë viteve 1998 – 1999, ka qenë me detyrë polic në stacionin policor të fshatit Gjurakoc të Komunës së Istogut, si dhe, ka qenë  pjesëmarrës në kryerjen e masakrës së Staradranës, ku kanë mbetur të vrarë tetëmbëdhjetë (18) persona.

Me këto veprime i pandehuri E.B., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Krim i Luftës kundër popullatës civile, i sanksionuar me nenin 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri E.B., është ndaluar në periudhë kohore prej 48 orësh, në pritje të dërgimit tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake brenda afatit Ligjor.​

Ndryshe, një gjykatë në Budapest të Hungarisë lëshoi ​​të hënën një urdhër ekstradimi të përkohshëm edhe për një serb të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë.

Përveç tij, edhe dy serbë të tjerë dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast.

Prokuroria e Përgjithshme e Budapestit njofton se i akuzuari është arrestuar mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë./Telegrafi/