Italiani Enriko Gazo, i njohur si trafikanti i një ton kokaine, është arrestuar në Rinas.
49-vjeçari rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij Gjykata e Lartë e Perusë kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Në maj të vitit 2008, autoritetet peruane sekuestruan në Lima një ngarkesë me rreth një ton kokainë, në bashkëpunim me Italinë.
49-vjeçari i lindur në Milano ka nën zotërim në Karrara të Italisë një kompani e cila merret me përpunimin e qelqit.
Hetimet kanë treguar se Gazo do të ishte marrësi i ngarkesës prej një ton kokainë, e cila ishte fshehur brenda 219 çantave dhe do të dërgohej në Itali përmes portit të Livornos.
Për të njëjtën çështje, Enriko Gazo ishte arrestuar në Bjellorusi në nëntor të vitit 2011, por i kishte shpëtuar ekstradimit pas shkeljeve të afateve proceduriale, raporton TV Klan.
Gazo ishte arrestuar edhe më herët në vitin 2010, për dyshime se ishte i implikuar në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut përmes Spanjës. Ai kishte lidhje me grupe të ndryshme të drogës, që sillnin mallin nga Amerika Jugore, për ta shpërndarë atë në mbarë Italinë.
Tanimë, pritet që trafikanti Enriko Gazo të ekstradohet në Peru.