Telegrafi

Arrestohet në Gjakovë për vjedhje të rëndë një person nga Prishtina

Foto: Ilustrim

Pas një aksioni të policisë të zhvilluar me datën. 14.11.2018 rreth orës 02:00 të mëngjesit, kundër një grupi hajdutësh të ardhur nga Prishtina, Prokuroria Themelore në Gjakovë në bashkëpunim me Policinë ka ndaluar M.R. nga Prishtina nën dyshimin se me tre persona të tjerë të cilët për momentin ndodhen në arrati kanë kryer veprën penale të vjedhjes së rendë nga neni 327/1 të KPK-së, dhe në ikje e sipër kanë goditur me automjetin e tyre, automjetin e policisë me ç’rast është lënduar lehtë një pjesëtarë i policisë.

Të dyshuarit kanë dalur nga automjeti dhe kanë ikur në drejtim të “Parkut të Lirisë”, në Gjakovë ku gjatë ikjes kanë shtënë një herë me armë në ajër.

Policia ka kërkuar ndihmën e njësive të tjera për të kapur të pandehurit, por nuk kanë arritur edhe përkundër përpjekjeve maksimale.

Prokurori i çështjes ka propozuar që ndaj të pandehurit M.R., Gjykata të caktojë masën e paraburgimit prej një muaji. /Telegrafi/