Autoritetet braziliane e arrestuan mbrëmë serbin Nikolla Çeraniq (47), të cilin autoritetet në BeH e ndjekin nga viti 1992 për shkak të akuzave se ka kryer krime lufte ndaj popullatës myslimane gjatë përleshjeve në ish Jugosllavi.
Zyra e prokurorit federal brazilian njoftoi se policia e ka arrestuar Çeraniqin në qytetin Indajatuba, rreth 45 kilometra në veriperëndim nga Sao Paolo.
As Interpoli e as autoritetet braziliane nuk kanë më shumë hollësi për krimet për të cilat është akuzuar Çeraniq, e as nuk është e qartë sa gjatë ai qëndron në Brazil.
Sipas ligjeve braziliane, Gjykata Supreme vendos për të gjitha kërkesat për ekstradim, ndërsa nuk është e sigurt kur do të merret vendimi.