Policia e Kosovës ka arrestuar sot Nazmi Mulakun, i cili në rrjetet e tij sociale pretendonte se është mjek popullor, dhe se shëron disa sëmundje.
Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar për Telegrafin, Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
“Janë arrestuar në Vushtrri dy persona me iniciale N.M,. dhe P.I., me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike“ nga neni 256 i KPRK dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë do t’i paraqesë Gjykatës Themelore – Dega Vushtrri kërkesë për caktimin e masës së sigurisë – masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Nazmi Mulaku, i njohur në “TikTok”, si Nazmi Bio Mulaku, publikonte në vazhdimësi video, përmes të cilave pretendonte se po shëronte disa sëmundje, si depresioni etj.
Në disa video, ai shihet duke keqtrajtuar edhe disa qytetarë.
Lidhur me veprimtarinë që ai ka ushtruar, Telegrafi kishte pyetur para disa muajsh Prokurorinë Themelore të Mitrovicës. /Telegrafi/