Një mjek ligjor është vënë në pranga nga policia në Rrëshen pasi akuzohet se mori 100 euro ryshfet.
Policia shqiptare bën të ditur se ka vënë në pranga shtetasin me iniciale Z. P., 63 vjeç, banues në Rrëshen, me detyrë mjek ligjor në spitalin e Rrëshenit.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të shtetasit Gj. S., 55 vjeç, banues në fshatin Spiten, Lezhë, se një mjek ligjor i spitalit të Rrëshenit, i kishte kërkuar dhe i kishte marrë 100 euro për të kryer një akt ekspertimi mjeko-ligjor për një çështje të 55-vjeçarit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin Z. P., 63 vjeç, banues në Rrëshen, me detyrë mjek ligjor në spitalin e Rrëshenit.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u sekuestrua si provë materiale, shuma 100 euro që 63-vjeçari i mori shtetasit Gj. S., në kundërshtim me ligjin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, njofton policia.