Site icon Telegrafi

Arrestohet i mituri për hedhje të sprejit në Gjimnazin e Ferizajt

Policia arrestoi dje një person që dyshohet se hodhi sprej në korridorin e gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj më 1 shkurt.

Lajmin e bëri të ditur Policia në këtë komunë me anë të një komunikate.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj në bazë të informatave të siguruara, kanë arrestuar personin e dyshuar A.M. (viti i lindjes 2000) lidhur me rastin e ndodhur në Gjimnazin ’Shaban Hashani’ në Ferizaj me 01.02.2017”.

Atë ditë sipas policisë në korridorin e këtij gjimnazi i dyshuari hodhi sprej, ndërsa për këtë arsye shtatë nxënës kishin kërkuar ndihmë mjekësorë në spitalin e qytetit të Ferizajt.

Policia bën me dije se i dyshuari pas intervistimit e pranoi se hodhi sprejin.

“Pas intervistimit në prezencë të mbrojtësit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale, i njëjti ka pranuar në tërësi veprën me të cilën ngarkohet,” thuhet në komunikatën e policisë.

Komunikata njofton se me urdhër të prokurorit, të dyshuarit për hedhjen e sprejit i është caktuar ndalimi policor 24 orësh.

Policia rastin e ka regjistruar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ndërsa i dyshuari për hedhjen e sprejit është edhe vetë nxënës i gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj.

Exit mobile version