Me urdhër të Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit policia sot në mëngjes ka arrestuar dhjetë persona, në mesin e të cilëve edhe ish-ministrin për Transport dhe Lidhje, Mile Janakieski.
Bëhet fjalë për hetim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kompetencave, gjegjësisht shitjen e tokës shtetërore me çka është dëmtuar buxheti shtetit për mbi 2.5 milionë euro.
Në mesin e të arrestuarve, janë edhe personat të punësuar në kadastër dhe notar, avokat, ka edhe pronar të kompanive dhe zyrtarë tjerë.
“Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme ndërmerr masa për sigurimin e të dyshuarve nga disa vende në Shkup. Pas disa muajsh procedurë gjithëpërfshirëse paragjyqësore, sot, sipas urdhrit prokurorit kompetent nga Prokuroria Publike për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë ndërmarrë veprime për sigurimin e të dyshuarve në disa vende në Shkup. Ndër të dyshuarit janë ish-zyrtarë të lartë, zyrtarë administrativë dhe persona që kryejnë aktivitete me interes publik”, janë të dhënat paraprake nga Prokuroria.
Njëri nga të dyshuarit ende nuk është kapur deri më tani. Të arrestuari janë nxjerr para gjykatësit për procedurë paraprake./Telegrafi/