Reperja e njohur shqiptare që jeton dhe vepron në Zvicër, Loredana Zefi, është arrestuar në orët e para të së mërkurës nga autoritetet zvicerane.
Portali i njohur zviceran “20 minutes” ka raportuar për arrestimin dhe akuzat për të cilat është vënë nën pranga rap-artistja me prejardhje nga Kosova.
Bëhet fjalë për një dëm material të shkaktuar ndaj një çifti zviceran, vlera e të cilit shkon deri në një milion franga zvicerane.
Loredana akuzohet për mashtrim në vlerë të 700 mijë frangave, kurse vëllai i saj Bekim për 200 mijë sosh.
Mendohet se vëlla e motër kanë marrë para nga çifti 50 vjeçar përmes vënies në lajthitje, kanosjes dhe kërcënimit.
Vitin e kaluar, çifti deklaruan se i dhanë para kesh në dorë vëllait të Loredanës, teksa më vonë erdh në lojë edhe vet rap-artistja. Tani, çifti 50 vjeçar posedojnë fakte përmes transaksioneve bankare të bëra për deponimin e parave ndaj dyshes vëlla e motër.
“Loredana dhe vëllai i saj kanë marrë gjithçka nga ne. Paratë tona. Thjesht çdo gjë që ne si njerëz të zakonshëm kemi punuar shumë për to”, ka thënë Petra Z.
“Për shkak të saj kam dashur ta vrasë veten”, ka treguar më tej ajo për të përditshmen zvicerane “20 minuten”, teksa ka përmendur edhe faktin se si rrjedhojë e këtij dëmi material, ajo dhe bashkëshorti i saj kanë humbur edhe godinën e tyre. /Telegrafi/