Dy të dyshuarat po i ngisnin makinat e tyre me mbi 150 km/orë në vend të 80 km/orë sa është e lejuar në atë pjesë të autostradës.
Një patrullë e policisë së kantonit të Cyrihut ka kapur dhe arrestuar të hënën, dy gra të dyshuara për tejkalim të madh të shpejtësisë në autostradën A1 pranë Dietikonit.
Dy të dyshuarat po i ngisnin makinat e tyre me mbi 150 km/orë në vend të 80 km/orë sa është e lejuar në atë pjesë të autostradës, duke tejkaluar pothuajse dy herë shpejtësinë maksimale të lejuar, shkruan polizeinews.ch.
Policia i ka ndjekur dy makinat edhe kur ato tashmë kishin dalë nga autostrada A1 në kryqëzimin e Dietikonit.
Aty, policia arriti t`i ndalonte dhe të arrestonte një kosovare 21 dhe një gjermane 23-vjeçare, thuhet në një njoftim të Policisë së Kantonit të Cyrihut.
Dy të dyshuarat për tejkalim të shpejtësisë po udhëtonin së bashku në makinat e tyre në drejtim të Bernës. Policia thotë se aktualisht është duke u sqaruar nëse dy të rejat ishin duke zhvilluar garë ose jo.
Makinat e tyre janë konfiskuar dhe po ashtu dy të arrestuarat janë detyruar t`i dorëzojnë patentshoferët e tyre, përcjell albinfo.
Ato tani duhet të përgjigjen para prokurorit publik.