Site icon Telegrafi

Arrestohet kirurgu i tretë i dyshuar për korrupsion në spitalin e Vushtrrisë

Është arrestuar kirurgu i tretë i spitalit të Vushtrrisë me inicialet I.Z., i dyshuar për veprën penale “Marrje e ryshfetit”.

I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Ju njoftojmë që personi i dyshuar me iniciale I.Z., është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Njëherit, ndaj të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, ka thënë Preteni.

I.Z., bashkë me dy kolegë të tij nga Spitali i Vushtrrisë, E.S., dhe A.L., të cilët janë arrestuar të martën, dyshohen të kenë kryer veprën “marrje ryshfeti”, për kryerjen e operacioneve në këtë spital.

E.S., ndodhet në paraburgim, ndërsa A.L., është liruar në procedurë të rregullt.

Për rastin ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka bërë të ditur se tre kirurgët për një kohë janë hetuar nën dyshimin për korrupsion.

“Në lidhje me rastin e rapotuar në medie për rastin e Spitalit të Vushtrrisë, Ministria e Shëndetësisë përmes Bordit të ShSKUK- së, sot pasdite ka pranuar njoftimin zyrtar nga Spitali i Vushtrrisë, ‘Shekih Zajed’ së tre kirurgë tashmë një kohë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion”, thuhej në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version