Ish-ministri meksikan i Sigurisë, Genaro Garcia Luna, është arrestuar në SHBA nën akuzën për mitmarrje nga narko-kartelët, raporton BBC.
Garcia Luna akuzohet se i mundësoi kartelit Sinaloa që udhëhiqej nga Joaquin Guzman i njohur si El Chapo, të operojë në Meksikë në këmbim të disa miliona dollarëve, transmeton Telegrafi.
Gjykata ka bërë të ditur se Garcia Luna i kishte garantuar kartelit siguri, gjatë dërgesave të lëndëve narkotike dhe qasje në dokumente të ndjeshme.
Në këmbim të këtyre shërbimeve, dy anëtarë të kartelit i kishin dorëzuar personalisht Garcia Lunës 5 milionë dollarë të fshehura në dy çanta.
Politikani 52-vjeç kohë më parë kishte mohuar kategorikisht akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ai në krye të ministrisë së Sigurisë kishte ardhur në vitin 2006 dhe këtë pozitë e kishte ushtruar deri më 2012. /Telegrafi/