Site icon Telegrafi

Arrestohet edhe personi i dytë i dyshuar për vrasjen në Skenderaj

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe personin e dytë të dyshuar për vrasjen që ndodhi gjatë ditës në Skenderaj.

Në një njoftim zyrtar, policia bëri të ditur se hetuesit e sektorit rajonal të hetimeve në Mitrovicë Jug, pas një pune intensive hetimore, kanë arritur të lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin B.I., 33 vjeç.

“I dyshuari B.I., mashkull, 33 vjeç, është arrestuar në Prishtinë dhe tek ai janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, policia njofton se hetuesit, në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme proceduralo-hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Më herët zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka deklaruar për Sinjalin se rasti i vrasjes së 42-vjeçarit në Skenderaj është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.

Ai tha se dy persona të dyshuar janë identifikuar dhe të njëjtit ndodhen në arrati.

“Prokurori i rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë menjëherë në vend ngjarje ku është konstatuar se një person ka mbetur i vrarë. Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë””, ka thënë ai.

Jo zyrtarisht raportohet se deri te vrasja erdhi si shkak i një konflikti pronësor dhe se viktima dhe dorasi janë nga fshati Klinë e Ulët./Telegrafi/

Exit mobile version