Telegrafi

Arrestohet edhe i dyshuari i pestë për vrasjen në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve edhe i dyshuari i pestë, me inicialet R.I., për shkak të dyshimit se ka qenë i përfshirë në vrasjen, e cila ka ndodhur më 08 Nëntor 2021, në Gjilan, në të cilën me armë zjarri është privuar nga jeta tani i ndjeri E.R.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit R.I., ka lëshuar aktvendim mbi ndalim për veprën penale “Vrasja e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj tij do të vazhdojë me procedurat e tjera hetimore.

Lexo po ashtu Një i vrarë dhe një i plagosur nga gjuajtja me armë zjarri në Gjilan

Ndryshe, në orët e mëngjesit Prokuroria Themelore në Gjilan kishte njoftuar se ka ndaluar katër persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, tani të dyshuarit V.H., B.K., A.S. dhe E.N., pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në incidentin e mbrëmshëm me armë zjarri në Gjilan, në të cilin tani i ndjeri E.R., si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Gjithashtu, nga kjo ngjarje është plagosur edhe i dyshuari V.H., i cili është duke u trajtuar në QKUK, nën mbikëqyrjen dhe sigurimin e njësiteve policore.