Sot, në mesditë aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Dren Kukaj është arrestuar në ambientet e Stacionit Policor Numër 2 në Prishtinë.
Dren Kukaj, i cili është me profesion jurist, kishte shkuar në stacionin policor për të kërkuar sqarime për kidnapimin e Boiken Abazit, i cili u mor nga policët civilë në një lokal, njofton Lëvizja Vetëvendosje.
Dren Kukaj është dërguar në mbajtje, dhe i është dhënë masa e paraburgimit 48 orë. Avokati i Dren Kukajt është përpjekur të marrë të dhëna për këtë mbajtje, por policia ka refuzuar të përgjigjet.
Vetëvendosje thotë se “kjo valë e arrestimeve, deportimeve, rrahjeve nëpër stacione policore, thyerjeve të zyrave, linçimeve e shpifjeve përmes medieve të varura dhe organeve të propagandës, montimeve të akuzave të pavërteta dhe thirrjeve për dhunë e përndjekje nga ana e pushtetarëve më të lartë, është e gjitha e drejtuar kundër Vetëvendosjes” e cila pushtetin e cilëson “mizor e të pamëshirshëm, ndaj kësaj partie”, të cilën Vetëvendosje e quan “subjekt të vetëm që premton transformim rrënjësor dhe demokratizim të vendit”, thuhet në njoftimin e VV-së. /Telegrafi/