Një tjetër operacion antidroge është ekzekutuar gjatë ditës së sotme nga Policia italiane.
Operacioni “The end” i policisë së qytetit të Bergamos ka çuar në arrestimin e 15 anëtarëve të një organizate kriminale në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, 14 prej të cilëve janë shqiptarë e 1 shtetas maroken. 13 prej shqiptarëve të arrestuar janë rezidentë prej disa vitesh në provincën e Bergamos.
Hetimet e këtij operacioni kanë nisur më 12 janar të vitit 2013 pas vrasjes misterioze të nënshtetasit maroken 47 vjeçarit Mohammed Ammerti, me profesionin barist në qytezën e Cortenuova në provincën e Bergamos. Gjatë këtyre tre viteve hetime janë sekuestruar rreth 100 kg lëndë narkotike; heroinë, kokainë e hashash si dhe janë zbuluar 3 rafineri të përpunimit të drogës në qytezat e Romano në rajonin e Lombardisë si dhe në Padova e Corato.
Mes të arrestuarve, është dhe “kimisti i vogël i kësaj organizate”, që në epokën e nisjes së hetimeve ishte vetë m 16-vjeç, i konsideruar një ekspert i vërtetë në përgatitjen e drogës.
Heroina përgatitej duke u përzier me paracetamol. Policia italiane ka informuar se anëtarët e kësaj organizate kriminale komunikonin mes tyre me anë të një kodi kompleks alfanumerik, bazuar në një deshifrues antik e që përdorej për marrjen e urdhrave të furnizimit e trafikimit të lëndës narkotike.
Lënda narkotike transportohej kryesisht me korrierë nga Shqipëria e Holanda.