Site icon Telegrafi

Arrestohen tre të dyshuar për mashtrim

Personat e dyshuar janë Ibrahim I 1945, Nysret K 1962 dhe Murat K 1973, ndërsa të dyshuarit në bashkëveprim me persona të tjerë kanë mashtruar disa qytetarë kinse janë operatorë të kompanisë private IPKO.

“Të dyshuarit kanë mashtruar qytetarët duke ju thënë se janë të autorizuar nga kompania e IPKO-s, për vendosjen e antenave në pika të ndryshme dhe se qytetarët fillimisht duhej të paguanin shuma të caktuara e më pastaj në baza mujore do të paguajnë qira për këto antena të vendosura”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se një qytetari nga rajoni i Prizrenit i kanë marrë 12.000 mijë euro në vitin 2009 dhe deri më tani nuk i janë përmbajtur marrëveshjes për çka rezulton se e kanë mashtruar.

“Raste të tilla të raportuara janë paraqitur edhe në rajonin e Prishtinës dhe Ferizajt raste të cilat janë zgjidhur me sukses nga ana e hetuesve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ku disa të dyshuar janë arrestuar dhe janë dërguar para organeve të drejtësisë”, bëhet më tej e ditur në njoftimin e Policisë.

Hetimet për këto raste janë duke vazhduar, ndërkaq në bazë të hetimeve preliminare të dyshuarit tanimë të arrestuar dyshohet se kanë vepruar edhe në rajone tjera të Kosovës.

Apelohet tek të gjithë qytetarët që mos të bien pre e mashtruesve dhe rastet e tilla t’i paraqesin në Policinë e Kosovës. /Telegrafi/
 

Exit mobile version