Tre persona janë arrestuar pasi kanë kryer disa vjedhje gjatë muajve të fundit në tri qytete, Sarandë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se në kuadër të një operacioni u zbardhën 6 raste vjedhjesh, të kryera gjatë periudhës maj-qershor 2023.
“Si dhe u identifikuan, u kapën dhe u arrestuan 3 autorët e dyshuar të tyre, konkretisht shtetasit: R. R., 32 vjeç, banues në Vlorë, me precedent penal në fushën e narkotikëve, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Vlorës; Y. T., 39 vjeç, banues në Sarandë, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Sarandës; S. G., 44 vjeç, banues në Tiranë, me precedent penal në fushën e vjedhjes, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Gjirokastrës”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në 6 banesa të ndryshme në Himarë, sende personale, pajisje elektrike, vegla pune, biçikleta, aparate celulare, të cilat më pas i shisnin në qytete të ndryshme si Gjirokastër, Vlorë dhe Sarandë.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pinca, 1 peshore, 1 thikë, 1 distributor elektrik, disa metra kabllo elektrike dhe 5 aparate celulare.
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga shtetasit R. R., Y. T. dhe S. G.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/